Lajme

Pengohet shfaqja e dokumentarit ‘Gratë Shqiptare janë motrat tona’ në Nish

Autori: Gazeta inFokus 12:53 | 23 June 2017

Një grup djathtistësh serbë kanë penguar shfaqjen e dokumentarit “Gratë Shqiptare janë Motrat Tona” në Nish.

Filmi dokumentar “Gratë shqiptare janë motrat tona”, i prodhuar nga BIRN Kosova në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve të Vojvodinës dhe Forumin ZFD, nuk është shfaqur dje në qytetin e Nishit në Serbi, për shkak të protestave dhe kërcënimeve nga një grup i krahut të djathtë, raporton autonomija.info

Para Qendrës Mediale të Nishit ku ishte paraparë të shfaqet filmi dokumentar u mblodhën rreth 50 persona të cilët kanë fyer organizatorët dhe kanë kënduar këngë nacionaliste për Kosovën.

-Advertisement-

Në sallën e Qendrës Mediale, një njeri i vjetër i veshur me uniformë kamuflazhi që u prezantua si vojvodë çetnik, ka kërcënuar me dhunë fizike organizatorët duke thënë se nëse shfaqja e filmit fillon do të shkatërrojë sallën dhe do të rrahë organizatorët.

Ai tre të rinjve që erdhën me të ua dha një flamur të Kosovës prej letre dhe një tjetër e mbajti për vete, ndërsa kërcënoi se nëse nis shfaqja e dokumentarit do t’u vë flakën flamujve.

Protestuesit e mbledhur hodhën gurë në drejtim të audiencës që rrinte në tarracë.

Policia pastaj e largoi personin e uniformuar nga salla dhe ua bëri të ditur organizatorëve se filmi mund të shfaqej dhe mund të organizohej diskutimi pas shfaqjes së tij, por organizatorët vendosën që për arsye sigurie ta shtyjnë shfaqjen e dokumentarit, duke bërë të ditur se datën e shfaqjes do ta caktojnë më vonë.

Filmi dokumentar “Gratë Shqiptare janë Motrat Tona” është një nga pesë filmat nga projekti “Njerëz të vërtetë, Zgjidhje të Vërteta”, të cilët janë xhiruar në bashkëprodhim të Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Vojvodinës, BIRN Kosovës dhe Forumit ZFD .

Këto dokumentare lidhen me aspekte të ndryshme të normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, nga perspektiva e qytetarëve të thjeshtë.

Inserte nga ky dokumentar mund të ndiqni në vijim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Spektakli i Vitit, Ekskluzivisht në Artmotion – BBVK3!
-Advertisement-

Të tjera