Para 31 vjetësh, vërtetë stadiumi i Prishtinës nuk kishte vend as për një gjilpërë siç thuhej në zhargonin sportiv, Prishtina e mposhti Partizanin e Beogradit me rezultat 1:0, në ndeshjen e vlefshme të Ligës së Parë të ish-Jugosllavisë. Luhej minuta e 81-të, Fadil Muriqi, që sot jeton e vepron në Australi, dridhi Partizanin e Beogradit.
Ai nga rreth 25 metra shkundi portën e portierit Fahrudin Omeroviq, në anën tjetër shpërthyen tifozët ‘Plisat’ në kor Prishtina, Prishtina, besa, besa, ndërsa lojtarët e Partizanit të nervozuar e pothuajse në vaj, sepse dot nuk e pranonin humbjen nga një klub shqiptar. Mbi 40 mijë shikues në stadium pikërisht me 13 prill të vitit 1986. Fadil Vokrri, Fadil Muriqi me shokë bënë lojën e madhe dhe ishte festë në tërë Kosovën e kudo që kishte shqiptarë, për fitoren e madhe.