Lajme

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës: Haradinaj apo Kurti? (Video)

Autori: Gazeta inFokus 18:26 | 17 June 2017

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 11 qershorit në Kosovë, krijuan një situatë të vështirë rreth formimit të qeverisë së re. Asnjë koalicion apo parti politike nuk doli fituese bindëse e zgjedhjeve, me çka janë kushtëzuar koalicionet e reja paszgjedhore, për formimin e qeverisë së re.

Koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, si ftuese në këto zgjedhje, mori më se 34 për qind të votave, e që mund të sigurojë deri në 40 ulëse në Kuvend. Por, ky numër, sipas vlerësimeve të analistëve, nuk i mjafton këtij koalicioni ta formojë qeverinë, pavarësisht që si pjesë e saj, në bazë të Kushtetutës, duhet të jenë edhe komunitetet pakicë.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur vetëm nëse merr shumicën e votave (61 vota) të të gjithë deputetëve nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Analistë të çështjeve politike në Kosovë

-Advertisement-

Politologu Ramush Tahiri konsideron se procedurat janë shumë të qarta për krijimin e qeverisë dhe se nëse këto procedura respektohen, atëherë i mundësojnë Kosovës që brenda 45 ditëve ta ketë qeverinë.

“Nëse PAN insiston ende në Ramush Haradinaj si kandidat të saj për kryeministër, atëherë presidenti e dekreton HaradinajN mandatar për formimin e qeverisë”, thotë Tahiri.

Sipas tij, mandatarit më pas i mbeten edhe 15 ditë që të krijojë koalicionin qeverisës.

“Pasi që PAN i ka 38 apo 39 deputetë, e që nuk është e mjaftueshme për të votuar qeverinë sepse duhen 61 deputetë, ata duhet të bëjnë koalicion nga partitë ose me Vetëvendosjen që i ka 31 deputetë ose me LDK-në që i ka 30 dhe plus komunitetet që janë 20. Pra, varet çfarë koalicioni të madh mund të bëjë Ramush Haradinaj”, thotë Tahiri.

Në rast se i nominuari nga koalicioni PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, nuk arrin t’i ketë 61 vota, atëherë presidenti i Kosovës brenda afatit prej 10 ditësh duhet t’i japë rastin një mandatari tjetër, sipas së njëjtës procedurë.

“Në këtë rast duhet t’i jepet mandatarit të Vetëvendosjes dhe kandidatit për kryeministër Albin Kurti. Nëse Kurti arrin që të krijojë qeverinë me LDK-në dhe ka 61 vota dhe nëse aty janë edhe minoritetet joserbe, atëherë bëhen 71 që është e mjaftueshme të votohet qeveria. Në këtë rast Kosova do ta ketë qeverinë në afat brenda 45 ditëve”, thekson Tahiri i cili shton se nëse nuk do të veprohej kështu, atëherë do të kishte anashkalim të demokracisë dhe shkelje të Kushtetutës që do ta dërgonte vendin në zgjedhje.

Në anën tjetër, Emrush Ujkani, njohës i zhvillimeve politike dhe integruese, shprehet se kush do të duhej ta formonte qeverinë është diçka e thjeshtë dhe se këtë duhet ta bëjë ai i cili do të mund të krijojë numrin e mjaftueshëm të deputetëve.

“Sa do të jenë në gjendje partitë tona që të arrijnë konsensus, është çështje që do të marrë kohë, e ndoshta mund të rezultojë edhe me kriza dhe ngërç politik”, thotë Ujkani.

Sidoqoftë, të dy të nominuarit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj, në intervistat dhënë për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se do ta krijojnë qeverinë e re.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. /REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai
-Advertisement-

Të tjera