Lajme

Ish-të përndjekurit, del skema e re pagesave

Autori: Gazeta inFokus 11:26 | 16 June 2017

Ish-të përndjekurit politikë do të paguhen sipas një skeme të re nga Ministria e Financave. Të gjithë ata që kanë pasur probleme me dokumentacionin dhe vonesa në marrjen e kësteve, duhet të paraqiten në Drejtorinë e Përfitimeve pranë ministrisë për të zgjidhur problematikat, e për të marrë më pas paratë në bankë.

Ministrja e Financave, Helga Vukaj pas një takimi që ka pasur dy ditë më parë më përfaqësues të ish-të dënuarve politikë ka hapur sportele të veçanta pritëse, për t’u dhënë mundësi të gjithë kategorive që përfshihen nga ligji të përfitojnë dëmshpërblimet. “Kabineti i Ministres se Financave, Helga Vukaj, do të presë çdo të enjte dhe të premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, ish-të përndjekur të cilët janë përballur me pengesa dhe vonesa në marrjen e kësteve të dëmshpërblimit”, shkruhet në deklaratën e ministres.

Verifikimet
Ministrja e Financave në vijim të verifikimit të informacioneve mbi vonesat në shpërndarjen e kësteve të dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politike, njofton si më poshtë: Kabineti i ministres se Financave, Helga Vukaj, do të presë çdo të enjte dhe të premte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, ish-të përndjekur të cilët janë përballur me pengesa dhe vonesa në marrjen e kësteve të dëmshpërblimit. Jeni të lutur që të na shkruani paraprakisht në numrin 0676054545 për përcaktimin e orës së saktë të çdo takimi. Ministria e Financave garanton ish-të përndjekurit se do të ndjekë në mënyrë të detajuar ecurinë e procesit të shpërndarjes së dëmshpërblimeve në të gjitha hallkat e tij, në mënyrë që të shmangen të gjitha vonesat dhe pengesat artificiale të krijuara në vite.

-Advertisement-

Procesi

Përparësi për pagesat e muajit qershor do të kenë 600 ish-të dënuar mbi 80 vjeç, ndërsa në total janë rreth 8 mijë dosje dhe për çdo rast do të pasqyrohet dokumenti që është dorëzuar konform ligjit dhe ai që mungon. Ministria sqaron se kur dokumentacioni është i rregullt do të shënohet me v, kur mungon do shënohet me x dhe kur ka të autorizuar me prokurë shënohet me p. Trashëgimtarët e ish-të dënuarit duhet të sigurohen pranë bankës në të cilën kanë hapur llogarinë, që llogaria e tyre është aktive.

Në rast se llogaria nuk është aktive, shuma e dëmshpërblimit kthehet mbrapsht në buxhet duke sjellë vonesa dhe ndërlikime të panevojshme. Për rastet kur kemi ndryshim të identitetit, emër/mbiemër, apo në rastet kur në certifikatë ndryshon emri ose mbiemri, qoftë edhe me një germë të vetme në krahasim me dëshminë e trashëgimisë apo prokurës, kartës së identitetit dhe çdo dokumenti tjetër të nevojshëm, duhet medoemos që në të gjitha dokumentet emrat të jenë të njëjtë me atë që është shkruar në certifikatën e lëshuar nga gjendja civile.

Në rast se ka transkriptime të gabuara gjatë kohës nga një certifikatë e një periudhe të caktuar, atëherë këto ndryshime duhet të pasqyrohen brenda formatit të certifikatës apo edhe të një vërtetimi të veçantë të lëshuar nga zyra e gjendjes civile. Në rastet e ekzekutimeve kapitale pa gjyq, është i domosdoshëm një vendim fakti gjykate që vërteton vdekjen, plus një certifikatë negative të lëshuar nga zyra e gjendjes civile./Shekulli online

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera