Jeta nën një çati me agresorin!
Autori: Gazeta inFokus 17:30 | 10 June 2017
Urdhrat e mbrojtjes të lëshuara nga Gjykata e Shkodrës kthehen në shqetësim shtesë për gratë – viktima të dhunës – pasi për shkak të ligjit të interpretueshëm, gjyqtarët vendosin që ato të ndajnë banesën me burrat nga të cilët duhet të mbrohen.
Për sa kohë është në shtëpi, rrobaqepësja L.M e mban gjithmonë një sy nga dera e oborrit të shtëpisë së saj përdhese, në një prej lagjeve të vjetra të Shkodrës. Gruaja mes të tridhjetave që jeton bashkë me djalin – nxënës në shkollën fillore – ruan se mos ish-bashkëshorti hyn në oborr, e nëse ndodh kështu, ajo vrapon të mbyllet në dhomën e saj bashkë me të birin.
Ajo ka urdhër mbrojtje nga gjykata ndaj ish-bashkëshortit të saj, i cili e dhunonte dhe është dënuar për këtë me tre muaj burg. E, megjithatë, e njëjta gjykatë i ka dhënë të drejtë atij të ketë një prej dy dhomave të shtëpisë.
“Ai vjen e ikën dhe kur është në shtëpi, nuk ngurron të hyjë në dhomë [nëse e gjen hapur] dhe të më godasë duke thënë: erdha sa për të të përshëndetur”, thotë gruaja.
Vetëm gjatë këtij viti, gjykata e Shkodrës ka dhënë 66 urdhra mbrojtjeje, por Alketa Leskaj, drejtuese e OJF-së “Hapat e Lehtë”, thotë se në disa raste mënyra si jepen këto urdhra nxit më shumë dhunë dhe madje krijon rrezik më të madh për viktimat.
Ligji për urdhrin e mbrojtjes përcakton që dhunuesi duhet të qëndrojë në një distancë të caktuar larg viktimës, por sipas juristëve nuk e përcakton saktë se ata nuk duhet të qëndrojnë në një ambient të përbashkët. Kjo “kleçkë” ligjore u bë pjesë e një debati të gjerë pas vrasjes së Liljana Rukës në fund të vitit 2016 në Fier, e cila po ashtu kishte një urdhër mbrojtje, por ndodhej në të njëjtën banesë me ish-bashkëshortin i cili akuzohet për krimin.
Juristja Kristi Kola, e cila mbron interesat e viktimave të dhunës në familje në Gjykatën e Shkodrës i tha BIRN se ligji i lejonte gjykatësit të interpretonte në këtë pikë.
“Disa gjyqtarë nuk e përfshijnë në interpretim e vendim faktin që gruaja e dhunuar dhe burri dhunues nuk duhet të qëndrojnë në të njëjtin ambient, pra në një farë mënyre e lejojnë këtë”, tha Kola.
Sipas saj, gjykatësit janë të prirur t’i lejojnë dhunuesit të kthehen në banesë edhe pasi kanë lëshuar urdhër mbrojtjeje, sidomos kur ata deklarojnë se nuk kanë vend tjetër strehimi.
Për Alketa Leskaj problemi është se institucionet që duhet të mbrojnë gratë e dhunuara janë patriarkale.
Pavarësisht problemeve që rrjedhin si pasojë e ekzekutimit të urdhrave të mbrojtjes, Majlinda Angoni e cila drejton organizatën tjetër “Gruaja tek Gruaja”, është optimiste për shkak se viktimat kanë filluar të denoncojnë.Angoni thekson se krahasuar me vitet e tjera, fatmirësisht viktimat e dhunës në familje kanë nisur që të raportojnë problemet me të cilat përballen. Ajo thotë se vetëm në qendrën ku ajo punon janë 62 gra që kanë marrë ndihmë juridike dhe psikologjike.
Por, megjithëse numri i denoncimeve është rritur, qoftë sipas OJQ-ve që veprojnë në këtë fushë, qoftë sipas të dhënave zyrtare të policisë dhe gjykatës, numri i atyre që dënohen për dhunën në familje nuk është i madh. Nga 12 çështje të gjykuara në Shkodër gjatë këtij viti, vetëm në dy raste dhunuesit janë dënuar me burg, në pesë raste kanë marrë dënime të pezulluara për 18 muaj, ndërsa të tjerët nuk janë dënuar.
“Tek ne duartrokitet vrasësi, justifikohet ai, madje edhe media përdor thënie si: ‘E vrau nga xhelozia’, ‘nga kushtet ekonomike’, ‘depresioni’, e të tjera. Pra, paragjykohet viktima nëse ishte e denjë të jetonte dhe mbështetet vrasësi”, thotë Alketa Leskaj.
Për të, Angonin dhe drejtuese të OJQ-ve të tjera në Shkodër, shqetësim mbetet fakti se gratë megjithëse denoncojnë apo marrin urdhër mbrojtje mbeten të ekspozuara ndaj dhunës që ndonjëherë është fatale.
Vetëm një muaj më parë, një grua u vra nga bashkëshorti i saj në Shkodër. Në 10 vitet e fundit, 2007-2017, bazuar në njoftimet e policisë në vite, 18 gra janë vrarë nga familjarët, ku për 15 prej viktimave autorë kanë qenë bashkëshortët.
Sipas Majlinda Angonit, fenomeni ndihmohet jo pak “nga indiferentizmi i institucioneve përgjegjëse”, ndërsa mentaliteti ndikon “ata që duhet të jenë në frontin e parë të luftës ndaj këtij fenomeni”.
“Janë një kategori grash që duhet t’i japim një liri, jo thjesht jashtë banesave sociale, por atë liri familjare që t’i japë atyre mundësi për integrim,” thotë ajo.
Edhe Luljeta Alibali mendon se institucionet nuk kanë vullnet sa i përket parandalimit apo dënimit të dhunës. Ajo tregon se i ka ndodhur që kur ka shkuar të trajtojë çështje dhune dhe të kërkojë ndihmë për gra të dhunuara, institucionet i janë përgjigjur: “Kështu janë gjysma e Shkodrës dhe se më shumë problem janë jetimët dhe gjakmarrja”.
Përballë kësaj indiference, L.M ende pret që t’i japin një zgjidhje – një strehë për të ose për ish-bashkëshortin. Banesa ku ajo jeton me të birin dhe ish-bashkëshortin është në rrënim e sipër. Asaj i kanë lënë dhomën gjumit, ndërsa atij i kanë lënë kuzhinën. Në mes është një banjo e vjetër dhe një korridor, ku ajo ka pak mundësi të fshihet nëse ai kthehet i dehur apo siç i thotë rëndom “për ta përshëndetur”! /reporter.al/
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...