Lajme

Hoti garanton krijimin e qeverisë me duar të pastra(Foto)

Autori: Gazeta inFokus 14:07 | 07 June 2017

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të mërkurën në Novobërdë se qeveria e re do të krijohet nga njerëz të aftë, profesionalë dhe me duar të pastra.

“Në qeverinë që unë do ta drejtoj nuk do të ketë njerëz që kanë probleme me personalitetin e tyre, ose që kanë probleme me ligjin. U garantoj se do ta themelojmë qeverinë më profesionale që ka pasur ndonjëherë Kosova, qeveri me duar të pastra dhe zhvillim ekonomik dyfish më të madh, sepse askush më mirë se ne nuk di ta bëjë këtë punë”, ka thënë Hoti.

Ai ka pohuar se ne jemi koalicion i natyrshëm, i paqes, i zhvillimit ekonomik dhe unë kam për nder t’i prijë një liste të jashtëzakonshme me njerëz të sprovuar në profesionet e tyre.

-Advertisement-

“Ne dimë si ta zhvillojmë ekonominë, si t’i rrisim pagat, si ta zhvillojmë biznesin ndershëm. Platforma jonë është më e mira dhe ne do ta zbatojmë me përpikëri. Ne do të kujdesemi që Kalaja e Novobërdës të jetë në hartat turistike të Evropës dhe kjo pikë turistike të shndërrohet në qendër interesante për turistët, e nga kjo të përfitojnë qindra familje”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se ne kemi program të jashtëzakonshëm për mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë e që kjo anë është shumë e mirë për këtë degë të ekonomisë.

Kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se ky koalicion ka çfarë t’i ofrojë qytetarit, sepse programi ynë zgjidh shumë probleme me të cilat ballafaqohemi çdo ditë.

“Ne do t’u ofrojmë përkrahje maksimale të gjithë qytetarëve të Kosovës. Më 11 qershor duhet të jemi të përgjegjshëm, të dalim në votime, të mobilizohemi dhe të arrijmë fitoren e koalicionit tonë, sepse ky koalicion është shpresa dhe zgjidhja e vetme për Kosovën”, tha kryeministri.

Bajrush Ymeri, kryetar i degës së LDK-së në Novo Bërdë ka thënë të mërkurën se në tubimet që po i mbajmë anekënd Kosovës po u tregojmë qytetarëve për dallimin në mes nesh dhe atyre që vendin e kanë çuar në shkatërrim.

“Vetëm dy vjet e gjysmë qeverisje nga akademik Isa Mustafa, u arritën rezultate konkrete dhe mirëqenia e qytetarëve filloi të përmirësohej, përkundër faktit se pati pengesa, protesta e koktej molotovi. Prandaj, kërkoj nga ju që të mobilizohemi sa më mirë dhe më 11 qershor të festojmë fitoren”, ka thënë Ymeri.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se më 11 qershor ne do të festojmë fitoren e madhe dhe do të ndahemi nga njerëzit e këqij, nga njerëzit që e kanë rrënuar Kosovën dhe do të fillojë epoka e qeverisjen nga njerëzit që e duan vendin, e duan zhvillimin, që e respektojnë gjakun e dëshmorëve.

“Kjo ndarje do të ndodhë më 11 qershor dhe në këtë rrugë ndihmë të madhe presim edhe nga kjo anë. Prandaj, më 11 qershor dilni dhe votoni për familjen e madhe të Ibrahim Rugovës”, ka thënë Pacolli.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera