Lajme

ProCredit Bank akuzohet për shkelje flagrante ndaj klientëve

Autori: Gazeta inFokus 16:55 | 06 June 2017

Drejtori i organizatës jo-qeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku e ka quajtur shkelje flagrante të të drejtave të konsumatorit, vendimin e bankës ProCredit që të rrisë konsiderueshëm koston e mirëmbajtjeve të llogarive biznesore e private, pa i njoftuar klientët e saj.

Kaçaniku për AktivPress ka deklaruar se çdo shkelje e njëanshme e kontratës është e patolerueshme dhe kësisoj është shkelje e ligjit.

“Nuk kanë të drejtë të bëjnë asnjë ndryshim të njëanshëm, sepse paramendohet që ekziston një kontratë në mes të bankës dhe klientit dhe nëse banka e prish njëkahshëm atë kontratë atëherë e amneston edhe klientin apo konsumtaorin. Mirëpo, meqë banka në këtë rast është në rol monopolizues, sepse ka monopol ndaj klientit, e detyron klientin të përshtatet me rregullat e reja, atëherë kjo është shkelje flagrante e të drejtave ose e ligjit për të drejtat e konsumatorit”, ka deklaruar Kaçaniku.

-Advertisement-

Gazeta online AktivPress ka raportuar një ditë më herët se ProCredit Bank, si njëra ndër bankat më të mëdha në vend është denoncuar publikisht nga një klient i saj për shkelje të kontratës për mirëmbajtjen e llogarisë bankare.

Safet Fazliu, njohës i ekonomisë dhe si drejtor i një organizate joqeveritare, ka treguar se për mirëmbajtje të llogarisë së biznesit, ProCredit Bank ka vendosur që t’ua marrë klientëve jo më nga 1.00€,  por 5.00€ në muaj për llogari biznesi, ndërsa për llogaritë private nga 0,70 € ta shtrenjtojë në 2.00€ në muaj.

Edhe zyrtarë të bankës kanë konfirmuar për AktivPress se kostoja për mirëmbajtje të llogarive është rritur në bazë të rregullave të bankës dhe se sipas tyre nuk e kanë parë të nevojshme që t’i njoftojnë klientët e tyre paraprakisht për këtë vendim.

Ky veprim i bankës sipas drejtorit të organizatës “Konsumatori”, mund të ndodhë vetëm në Kosovë.

“Një vendim i tillë i bankës në fjalë, kundrejt konsumatorëve nuk është e lejuar me ligj. Por, te ne në Kosovë, për fat të keq kjo ndodhë”, shtoi ai.

Sipas Kaçanikut, problem kryesor për këto veprime është se qytetarët e Kosovës nuk po ankohen pasi e kanë humbur besimin në institucione.

“ E keqja më e madhe është se 99, 99 % të konsumatorëve në Kosovë kanë kaluar në letargji, e kanë humbur besimin në institucione, e kanë humbur besimin në mekanizma, e kanë humbur besimin në OJQ dhe shumica nuk ankohen”, tha Kaçaniku.

Sipas tij, kur konsumatorët ankohen kundrejt shërbimeve ndaj tyre, ata parapëlqejnë që t’u adresohen mediave. “Nëse ankohen parapëlqejnë që ankesën ta bëjnë te mediumet e informimit publik, sepse pretendojnë që ato reagojnë më shpejt duke pritur ndoshta edhe zgjidhje më të shpejt të problemit” tha ai.

Drejtuesi i organizatës për mbrojtje të konsumatorëve në Kosovë ndër të tjerash theksoi se organet e tjera relevante për këto çështje nuk po reagojnë pasi sipas tij i gjithë sistemi në Kosovë është i kapur.

“Përkundër faktit se organet sistemit të drejtësisë siç janë gjyqësia, policia e prokuroria, kanë obligim ligjor që të reagojnë, këtë nuk e bëjnë. I gjithë sistemi është i kapur, siç po thonë disa. Dhe për fat të keq mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve dhe taksapaguesve çdo herë e më shumë është me pakët, më e vobektë dhe e ulët”, përfundoi Kaçaniku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera