Lajme

Trump tërhiqet nga marrëveshja e Parisit

Autori: Gazeta inFokus 15:22 | 31 May 2017

Presidenti amerikan, Donald Trump ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike. Lajmi njoftohet nga agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar raportin e faqes informative të lajmeve “Axios” bazuar në dy burime të kësaj të fundit.

Trump refuzoi të miratonte akordin historik mbi ndryshimet klimatike gjatë punimeve të samitit të G7-s ditën e shtunë, duke thënë se i duhej më shumë kohë për të vendosur. Më pas, ai shkroi në “Twitter” se vendimin e tij do ta njoftonte gjatë kësaj jave.

Sipas faqes “Axios”, dy burime pranë administratës së presidentit Trump kanë thënë se kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka nisur tashmë konsultat mbi procesin e tërheqjes me zyrtarët më të lartë.

-Advertisement-

Lëvizja e presidentit amerikan pritet të jetë një goditje e rëndë e trashëgimisë së paraardhësit të tij, Barack Obama, i cili e konsideronte trajtimin e ndryshimeve klimatike si një prioritet kyç dhe e konsideronte marrëveshjen e Parisit si një nga arritjet e tij më të mëdha.

Vendimi gjithashtu rrezikon të minojë ambiciet e marrëveshjes, që u nënshkrua nga 195 shtete të tjera, përfshi Britaninë e Shqipërinë.

Sipas “Axios”, një rol kryesor në vendimin e Trump ka luajtur një letër e firmosur nga 22 senatorë republikanë, që e nxisnin atë të tërhiqej nga pakti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera