Lajme

Kurti : Me Vetëvendosjen do të zbatohet sistemi informativ shëndetësor

Autori: Gazeta inFokus 12:57 | 31 May 2017

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër të Kosovës Albin Kurti, bashkë me struktura udhëheqëse të kësaj partie vizituan QKMF-në në ‘lagjen e Muhaxherëve’.

Kurti ka premtuar buxhet më të madh për Komunën e Prishtinës nëse do të qeverisin pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Ai madje tha se Teatri i Operës së Vjenës ka trefish më shumë buxhet se sa Komuna e Prishtinës.“Është evidente që buxheti i komunës së Prishtinës është në shpërputhje me nevojat e qytetarëve dhe ai buxhet do të duhet të ishte shumë më i madh dhe me qeverinë e Vetëvendosjes ne natyrisht nuk do të mund ta trajtojmë kryeqytetin e Kosovës sikur se edhe një komunë të vogël edhe sa i përket pagave por edhe sa i përket idesë së projektimit të buxhetit në këtë aspekt komuna e Prishtinës duhet të ketë buxhet më të madh nëse nuk jam gabim vetëm teatri i operës në Vjenë ka buxhet më të madh se buxheti i tërë i komunës së Prishtinës, këtu duhet të shtohet stafi mjekësor”, ka deklaruar Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti përveç fjalëve të mira që pati për punën që është bërë në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare, premtoi se do të përkushtohen që të rregullojnë sistemin shëndetësor. “Lëvizja Vetëvendosje me qeverinë e re pas 11 qershorit do ta zbatojë sistemin informativ shëndetësor, më pas edhe sigurimet shëndetësore të cilat janë thelbësore për sigurime shëndetësore në përgjithësi dhe për drejtësinë sociale”, shtoi më tej Kurti.

-Advertisement-

Sa i përket mungesës së barnave në Qendrat e Mjekësisë Familjare, Kurti tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes do të bëhet një hulumtim se cilët janë përgjegjësit për mungesën e barnave dhe do të kontrollohet edhe cilësia e tyre.Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës Arben Vitia, ka thënë se vizitat ambulatore janë rritur përgjysmë më shumë në krahasim me qeverisjen e kaluar.“Kemi vizita ambulatore më shumë se gjitha QKUK-të, 2,6 milion shërbime dhe 1,3 milionë vizita vjetore nga 700 mijë që kanë qenë më herët. Kemi një rritje gati përgjysmë të numrit të pacientëve në qendrat e mjekësisë familjare në Komunën e Prishtinë“, tha Vitia.

Ai shtoi se kanë arritur të bëjmë racionalizimin e distribuimit të punëtorëve shëndetësorë dhe se tani asnjë qytetar nuk kthehet pa shërbim në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prishtinës.Ai shtoi se në bazë të auditimeve të bëra për sterilizimin e mjeteve mjekësore kanë arritur që nga 35% të arrijë në 99% të sterilizimit korrekt.

I pranishëm në këtë vizitë ishte edhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili tha se me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës është dëshmuar se me të njëjtin buxhet mund të bëhet tre-fish më shumë.“Qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje e ka dëshmuar se me të njëjtat para dhe të njëjtin buxhet mund të bëhet dy fish dhe tre fish më shumë, është çështje menaxhimi është çështje e moskorrupsionit, është çështje e marrëdhënieve më të mira në mes të menaxhmentit të komunës, në këtë rast të qeverisë, me punëtorët shëndetësor që në këtë rast është dëshmuar se është një kombinim fitues”, ka deklaruar Ahmeti.

Mes të tjerash Ahmeti shtoi se është zvogëluar numri i fëmijëve të prekur me karies falë kontrolleve mjekësore që janë aplikuar për fëmijët nga klasa e parë deri në klasën e pestë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita Home dhe Prince Caffe: Sponsor të përgjithshëm të Sunny Hill Festival
-Advertisement-

Të tjera