Lajme

Tahiri: Reformën zgjedhore nuk e duan liderët e partive politike

Autori: Gazeta inFokus 10:10 | 28 May 2017

Politologu Ramush Tahiri konsideron se reforma zgjedhore nuk u përshtatet partive politike në vend.

“Reforma zgjedhore nuk është bërë dhe nuk ka interes të bëhet, sepse nuk i përshtatet asnjë partie politike. Partitë në Kosovë janë parti lideriste dhe si të tilla i përcaktojnë listat e deputetëve varësisht prej dëgjueshmërisë e lojalitetit ndaj liderit e udhëheqësit”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, reforma zgjedhore do t’u krijonte vështirësi subjekteve politike që të manipulojnë.

-Advertisement-

“Kosova nëse ka më shumë zona zgjedhore atëherë bie pragu zgjedhor prej pesë për qind që sot pengon të hyjnë subjekte më të vogla dhe kandidatë të pavarur. Shumë zona, do të thotë një qytetar, një votë, e jo një qytetar pesë vota, siç është tash, dhe deputetët i përgjigjen zonës së vetë zgjedhore e manipulimet e mundshme janë më të vogla dhe ka përfaqësim më të drejtë krahinor e regjional”, ka përfunduar Tahiri.

Kurse analisti politik Imer Mushkolaj vlerëson se vullneti politik është i domosdoshëm për formimin e reformës zgjedhore.

“Reforma zgjedhore duhet të ndodhë si nevojë e përgjithshme për të, e jo për shkak të interesave personale të liderëve të caktuar partiakë ose shtetërorë. Vullneti politik është i domosdoshëm që reforma të ndodhë, por respektimi i kornizës aktuale nga partitë po ashtu nënkupton zgjedhje të mira e të lira”, ka thënë Mushkolaj, duke theksuar se korniza aktuale ligjore garanton zgjedhje të drejta dhe demokratike.

“Është çështje tjetër se partitë politike nuk duan që zgjedhjet të jenë të tilla dhe me veprimet e tyre ndikojnë në to”, ka përfunduar ai./Zeri

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera