Lajme

Veseli dhe Rrahmani në fushatë, specialistët dhe specializantët me muaj pa paga

Autori: Gazeta inFokus 10:21 | 16 May 2017

Mjekët specialistë dhe specializantët me muaj të tërë nuk kanë marrë paga nga Ministria e Shëndetësisë, derisa ministri në largim Imet Rrahmani si duket është i angazhuar nëse miku dhe bashkëpartiaku i tij, Lutfi Haziri, do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër.

Disa mantelbardhë i kanë deklaruar portalit ‘Infokusi.com’ se specialistët e rinjë që nga janari i këtij viti nuk kanë marrë paga, ndërsa javë më parë Ministria e Shëndetësisë ka anuluar konkursin për pranimin e tyre në punë, me rekomandim të Inspektoratit të Punës.

Pas këtij anulimi të këtij konkursi kanë protestuar mjekët specializantë para Kuvendit, të cilët i ka pritur kryeparlamentari Kadri Veseli dhe u ka premtuar zgjidhjen e problemit të tyre.

-Advertisement-

‘Prej janarit të këtij viti nuk kemi marrë paga. Shumë specialialistë kanë humbur shpresat tek institucionet dhe po e shikojnë mundësinë e largimit nga Kosova’, ka bërë të ditur ky burim për ‘Infokusi.com’, duke shtuar se edhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli, u ka premtuar se do të zgjidhet problemi i tyre, por, siç thotë ai, këto si duket janë në kuadër të premtimeve të fushatës zgjedhiore.

Në anën tjetër, as specializantët e performancës ka disa muaj që nuk i kanë marrë pagat e tyre, përderisa për vonesën e pagave i kanë kontaktuar edhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, por ata nuk po u japin përgjigje.

‘Pagën e fundit e kemi marrë në mars dhe tashmë ka kaluar gjysma e majit dhe ende nuk është paguar paga e muajit prill’, bënë të ditur ky specializant.

Përndryshe, specialistët shëndetësor në Kosovë vazhdojnë të nëpërkëmben nga autoritetet vendore dhe si rezultat i kësaj dhjetëra mjekë dhe infermierë kanë braktisur vendin dhe kanë shkuar për të punuar në Gjermani ku marrin paga të majme. /Infokusi/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera