Lajme

Sa do të zgjasë refuzimi i LDK-së ndaj Thaçit?

Autori: Gazeta inFokus 12:07 | 11 May 2017

Lidhja Demokratike e Kosovës që nga dje ka shpallur se nuk e njeh për President të Kosovës Hashim Thaçin, të cilit Isa Mustafa me shumë mund ia kishte siguruar votat e LDK-së për ta vendosur në krye të shtetit. Një qëndrim të ngjashëm LDK-ja e kishte mbajtur edhe ndaj Atifete Jahjagës për të cilën kishte votuar që të jetë Presidente.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbrëmë ka bërë me dije se nuk e njeh më marrëveshjen që e kishte nënshkruar në dhjetor të 2014-s me Hashim Thaçin, pasi ishte larguar befasisht nga blloku opozitar VLAN. Ky veprim i LDK-së ka ardhur si reagim ndaj rrëzimit të Qeverisë dje në Kuvend. Votat e PDK-së kanë qenë vendimtare. Si pasojë LDK-ja mbetet e hidhëruar.

“Me këtë veprim, Marrëveshja e koalicionit bie në tërësi dhe LDK-ja nuk e njeh asnjë pikë të saj dhe asnjë rezultat politik të saj”, thuhet në njoftimin e partisë së dytë në vend.

-Advertisement-

Ky qëndrim ka filluar të implementohet nga sot. LDK nuk e ka dërguar fare përfaqësuesin e saj te Presidenti Thaçi, i cili ka organizuar një tryezë me partitë politike për konsultime rreth datës së zgjedhjeve. Aty madje kanë shkuar edhe përfaqësues të VV-së por jo edhe LDK-ja.

Një qëndrim të ngjashëm ndaj institucionit të Presidentit LDK-ja e kishte mbajtur edhe gjatë kohës sa në krye të shtetit ishte Presidentja Jahjaga.

Presidentja Jahjaga ishte zgjedhur në këtë post më 7 prill të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës mbi bazën e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së të lehtësuar nga ambasadori amerikan në largim, Christofer Dell.

Ajo marrëveshje i përcaktonte Jahjagës një mandat të shkurtuar të postit të presidentes, përkatësisht deri në përfundimin e reformës kushtetuese, sipas të cilës, presidenti në të ardhmen të zgjidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vota e popullit.

Megjithatë, gjatë korrikut të vitit 2012 Gjykata Kushtetuese e konsideroi antikushtetuese marrëveshjen e liderëve politikë në pikën ku përcaktohej shkurtimi i mandatit të presidentes, duke i njohur kështu Jahjagës mandatin e plotë pesëvjeçar.

Sido që të jetë, Presidentja ka mbajtur postin e saj deri në vitin 2016, ndërkohë që LDK-ja me kalimin e kohës ishte përshtatur me këtë fakt dhe e kishte njohur atë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera