Lajme

Arbana Xharra para 6 muajsh për PDK-në: Mafiozë ‘shumë të aftë’

Autori: Gazeta inFokus 14:28 | 09 May 2017

Portali “INFOKUSI” sot  në mëngjes publikoj lajmin e aderimit të Arbana Xharrës në PDK. Ky lajm tashmë u konfirmua edhe nga vetë ish-gazetarja Xharra. Kryetari i PDK-së para pak minutash mbajti një konferencë për media se bashku me Xharrën. Ajo ndër të tjera në paraqitjen e parë të saj si pjesë e PDK-së deklaroj se qëndron prapa shkrimeve të saj. Portali INFOKUSI ju sjellë njërin nga shkrimet e saj të publikua.

Portali “INFOKUS” ju sjellë artikullin e fundit të Arbana Xharrës, i publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjashtë muaj me parë, Arbana Xharra në një editorial ka shprehur mllefin e saj ndaj PDK-së duke e bërë fajtore për gjithë humbjet milionëshe të shtetit me rastin e PTK-së me Devollët e deri të përshkrimi që i ka bërë udhëheqësve të PDK-së duke i quajtur hajna të sofistikuar.

-Advertisement-

Madje është lëshuar deri në atë nivel, duke i komentuar edhe se si nga disa fshatarë të thjeshtë u shndërruan në superorganizatorë të keqpërdorimit të miliona eurove në formën më të sofistikuar të kohëve moderne.

“Kanë nisur me disa tenderë të vegjël për rrugica, me nga një “zadrugë” e një lopatë, u rritën në kompani të mëdha përmes tenderëve milionësh të dhënë nga Qeveria. Gradualisht krijuan monopole, biznese, kompani dhe korporata. Tani i kanë të gjitha nën kontroll. Me kalimin e viteve, jo vetëm se u qëruan në pamje, u qethën dhe u parfumuan, nisën të mësojnë se si provohen verërat, mësuan se si të krijojnë kompani fantome, të konkurrojnë në privatizime. Nëse tenderi dështonte, ambicia për plaçkitje vetëm rritej. Rruga u mësua: si të mos vidhet më me tenderë, së paku jo në mënyrë massive”, ka shkruar në editorialin e saj para 6 muajsh Arbana Xharra.
Lexojeni të plotë editorialin e saj:

Mafiozë ‘shumë të aftë’
22 December 2016 • 11:24

Është për t’u çuditur ç’aftësi ka ky grup mafiozësh në pushtet që prej “fshatarëve të thjeshtë” u shndërruan në superorganizatorë të keqpërdorimit të miliona eurove në formën më të sofistikuar të kohëve moderne.

Kanë nisur me disa tenderë të vegjël për rrugica, me nga një “zadrugë” e një lopatë, u rritën në kompani të mëdha përmes tenderëve milionësh të dhënë nga Qeveria. Gradualisht krijuan monopole, biznese, kompani dhe korporata.

Tani i kanë të gjitha nën kontroll. Me kalimin e viteve, jo vetëm se u qëruan në pamje, u qethën dhe u parfumuan, nisën të mësojnë se si provohen verërat, mësuan se si të krijojnë kompani fantome, të konkurrojnë në privatizime. Nëse tenderi dështonte, ambicia për plaçkitje vetëm rritej. Rruga u mësua: si të mos vidhet më me tenderë, së paku jo në mënyrë masive.

U zbulua pastaj Arbitrazhi si metoda më e mirë për të grabitur deri në fund arkën e shtetit. Aplikohen procedura në arbitrazhet jashtë Kosovës, edhe pse kemi dy arbitrazhe në vend. Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) që nga mbarimi i luftës është ndërmarrje që shfrytëzohet nga po ky grup – për punësimin e vajzave, djemve, nuseve, hallave, grave e edhe shfalerkave (dashnore do të ishte titull i madh për to). Gradualisht ndërmarrja u kap në dorë nga persona që janë krah i djathtë i pushtetit. U degradua në vazhdimësi, haptazi, pa u fshehur shihej sheshazi, madje përpjekja për ta qitur në dy gjunjë këtë kompani publike. Të përfshirë në këtë katrahurë nga fillimi deri më tash: persona të partisë më të madhe në vend, të PDK-së, dështuan me qëllim privatizimin sepse kishte mundësi ligjore për ta kamufluar dështimin “jo të qëllimshëm”.

“ACP Axos Capital”, pas së cilës qëndrojnë biznesmenë financues të PDK së, paditi Qeverinë e Kosovës për humbjen që ia ka shkaktuar me dështimin e privatizimit.

Ata tash kërkojnë jo më pak se 380 milionë euro. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) shkruante se ky rast përmban barut politik.

Sipas kësaj të përditshmeje, figura të rëndësishme politike janë rehatuar duke marrë poste fitimprurëse në të gjitha nivelet e ndërmarrjes shtetërore. Po ashtu shumë ndërmarrje të afërta me partitë në rrethana enigmatike morën kontrata të leverdishme.

FAZ-i e kishte vlerësuar PTK-në si një perlë në fushën e ndërmarrjeve në Ballkan, e cila vetëm në vitin 2007 pati profit 200 milionë euro. Pikërisht për shkak se ishte ndërmarrje fitimprurëse, sipas gazetës gjermane, PTK-ja ishte thellë e zhytur në varësi politike dhe  në ekonominë e nepotizmit. Pra, hajnia me PTK-në dhe denigrimi i saj është i njohur ndërkombëtarisht.

PTK-ja për tetë vjet kishte mbushur arkën e buxhetit të Kosovës me rreth gjysmë miliardi euro, këto para bandat e pushtetit tash i rikthejnë përmes kompanive private dhe me një transaksion në xhepin e tyre me procesin e Arbitrazhit.

E lënë me qëllim të ketë humbje marramendëse në mënyrë që të zhvlerësohet dhe të futet në privatizim që në fund të dështojë dhe të përfitojnë në formën më të suksesshme të hajnisë së pasluftës në Kosovë. Qeveria e Kosovës e la shumë vonë të angazhojë avokatë për këtë rast, përfaqësuesit e PTK-së në dhomën e gjyqtarëve në Arbitrazh kanë shkuar pa ditur të flasin as anglisht.

Në prill të vitit 2013, “Axos” kishte fituar tenderin për privatizimin e PTK-së, ajo u dështua sepse nuk u gjetën paratë për të blerë sikurse edhe Brezovica që po dështon në privatizim.

Sepse janë krijuar kompani fantome vetëm për t’i përmbushur proceset ligjore të vjedhjes më të madhe historike të Kosovës.

“Z Mobile”, kompani e njohur për afërsinë e saj me pushtetin, i fitoi në po të njëjtën procedurë 30 milionë euro nga Gjykata e Arbitrazhit për mosndarjen e 101 mijë numrave nga PTK-ja, si dhe mosofrimin e rrjetit 3G, 4G.

E gjithë procedura ka nisur me njerëzit e PDK-së në krye të PTK-së. Shtypshkronja shtetërore austriake “AG Staatsdruckerei” i ka fituar në Gjykatë po ashtu 5 milionë euro nga Qeveria e Kosovës për anulimin e tenderit të shtypjes së pasaportave biometrike të Kosovës.

Gjykata ka vendosur që shteti i Kosovës duhet t’ia paguajë 4.9 milionë euro kompensim shtypshkronjës “AG Staatsdruckerei” për ndërprerje të parakohshme të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike, si dhe për disa pagesa të pakryera.

Mbi 10 milionë euro për konsulentë janë paguar nga Banka Botërore në lidhje me tenderin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

Ky termocentral qe 10 vjet nuk po arrin të ndërtohet nga Qeveria e Kosovës.

Në tenderin për investime në Brezovicë po ashtu janë shpenzuar qindra mijëra euro nga kompanitë konsulente, ndërsa investimi i paralajmëruar nga një kompani franceze ka dështuar.

E gjithë kjo nga një grup hajnash të sofistikuar.
http://infokusi.com/arbana-xharra-aderon-ne-pdk/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera