Lajme

Shtyhet seanca dëgjimore për personat e akuzuar për komplot në Mal të Zi

Autori: Gazeta inFokus 15:33 | 05 May 2017

Një gjykatë në Mal të Zi ka shtyrë seancën dëgjimore për konfirmimin e akuzave ndaj 14 personave, përfshirë edhe dy rusë dhe dy liderë pro-rusë nga opozita, të cilët po akuzohen për komplotin e vitit të kaluar për të rrëzuar qeverinë.

Gjykata e Lartë në Podgoricë ka thënë se seanca është shtyrë për 24 maj, me qëllim që avokatët mbrojtës të kenë më shumë kohë për të shqyrtuar mijëra faqe të dokumenteve, materialeve dhe provave për këtë rast.

Ligjvënësit Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviq nga Fronti Demokratik, dy rusë dhe nëntë qytetarë serbë dhe një malazez, janë akuzuar për krijimin e “një organizate kriminale”.

-Advertisement-

Dy rusët gjithashtu janë akuzuar për “terrorizëm”.

Zyrtarët malazezë pretendojnë se nacionalistët serbë dhe rusë kanë planifikuar që të marrin nën kontroll parlamentin, gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit të kaluar.

Po ashtu, të akuzuarit thuhet se kanë pasur plane që të vrasin kryeministrin e atëhershëm, Milo Gjukanoviq dhe të instalojnë një udhëheqje pro-ruse, me qëlllim që të ndalojnë Malin e Zi që t’i bashkohet NATO-s.

Ligjvënësi i akuzuar Andrija Mandiq, më 13 prill ka thënë se “procesi gjyqësor është organizuar kundër opozitës”.
Prokurori special i Malit të Zi, ka thënë se “organet shtetërore ruse” janë përfshirë në grushtshtetin e dyshuar, akuza të cila, Rusia i hedh poshtë.

Parlamenti i Malit të Zi ka ratifikuar anëtarësimin e vendit në NATO më 28 prill, duke shënuar një kthesë historike drejt Perëndimit./REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera