Lajme

100 Ditë të Donald Trump: alias miqësia me Londrën, problemet me Brukselin e Berlinin!

Autori: Gazeta inFokus 09:56 | 30 April 2017

Nga Naveena Kottoor, Andrew McCathie dhe Bill Smith

Pas një fillimi të vështirë në raportet me aleatët kryesorë evropianë të Uashingtonit presidenti amerikan, Donald Trump dhe kabineti i tij shënojnë sot  100 ditët e para të marrjes së detyrës si udhëheqës të ekonomisë më të madhe në botë.

Por, çfarë rezervon e ardhmja për aleancën transatlantike?

-Advertisement-

Vetëm në Britaninë e Madhe,  administrata e presidentit amerikan Trump  ka gjetur mbështetjen e vazhdueshme në përpjekjet  e kësaj të parës për të përmirësuar raportet ndërkombëtare në prag të daljes nga Bashkimi Evropian.

Trump tensionoi Brukselin me vlerësimin e tij se aleanca ushtarake e NATO-s, e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është “vjetëruar dhe e dalë mode”, si dhe shprehu bindjen se shumë shtete të tjera do të ndiqnin pas Britaninë e Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

Masa e presidentit amerikan, Trump për t’i dhënë fund financimit të organizatave të planifikimit familjar në mbarë botën rezultoi në kacavirrjen e evropianëve në përpjekje për të dhënë para për të mbyllur hendekun, ndërkohë që bisedimet e SHBA-BE për të krijuar një marrëveshje të re tregtare u përballën me një ndalesë të rëndë.

“Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së ishte i lumtur që Brexit po zbatohej dhe u kërkoi vendeve të tjera të bënin të njëjtën gjë”, tha i irrituar muajin e kaluar presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

“Nëse ai vazhdon në këtë mënyrë, atëherë unë do të promovoj pavarësinë e Ohajos dhe Ostinit, Teksasit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, paralajmëroi Juncker.

Por nga mesi i muajit prill duket se trazirat po shuheshin.

Pas sulmit ajror të SHBA-së në Siri, për të cilin u raportua përdorimi i armëve kimike, BE-ja dhe NATO-ja ishin mbështetëse edhe pse të kujdesshëm.

Nga ana tjetër Trump është më pak skeptik ndaj NATO-s, madje po merr në konsideratë rihapjen e bisedimeve tregtare SHBA-BE, sipas raporteve të medias britanike.

Edhe Juncker e sheh Trumpin me një “dashamirësi në rritje” sipas një interviste të dhënë kohëve të fundit me të përditshmen italiane “La Repubblica”.

Megjithatë, një test kyç i raporteve të presidentit amerikan, Trump me Evropën me shumë mundësi do të ndodhë muajin e ardhshëm kur ai do të zhvillojë vizitën e tij të parë presidenciale në Evropë për një samit të NATO-s.

Berlini gjithashtu është munduar të krijojë një dialog me Shtëpinë e Bardhë të Donald Trumpit pas fillimit të vështirë të marrëdhënieve midis presidentit amerikan dhe kancelares gjermane, Angela Merkel.

Në komentet e bëra në periudhën e  fushatës së tij zgjedhore, Trump ka sulmuar Gjermaninë lidhur me nivelin e deficiteve të saj tregtare, specifikoi Berlinin për mospërmbushjen e angazhimeve buxhetore të NATO-s dhe denoncoi politikën liberale të refugjatëve të kancelares gjermane, duke e cilësuar si një “gabim katastrofal”.

Kjo bëri që Merkel të vendosë rregullat bazë të marrëdhënies së Gjermanisë me presidentin e ri amerikan dhe goditi komentet e tij lidhur me sulmet terroriste në Evropë, duke deklaruar se “Mendoj se ne evropianët e mbajnë fatin tonë në duart tona”.

Nacionalizmi ekonomik dhe skepticizmi rreth ngrohjes globale i presidentit amerikan, Trump bien gjithashtu në kundërshtim me mbështetjen e Merkelit për tregti të lirë dhe për marrjen e masave parandaluese të emetimeve në rritje të dyoksidit të karbonit (CO2).

Refuzimi i dukshëm i presidentit amerikan, Trump për të shtrënguar duart me kancelaren gjermane, Merkelin në një konferencë shtypi të paqëndrueshme kur u takuan në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar dukej sikur simbolizonte marrëdhënien e vështirë ndërmjet udhëheqësve të ekonomive më të mëdha të botës dhe Evropës.

Por në të njëjtën kohë, raportet midis Trumpit dhe udhëheqëses gjermane duket se janë përmirësuar ku të dy liderët kanë filluar të komunikojnë rregullisht me telefon për një sërë çështjesh ndërkombëtare si Siria dhe Koreja e Veriut, si dhe raundi i tanishëm i zgjedhjeve të paparashikueshme evropiane.

Trump gjithashtu ka mohuar komenetet  se ka pasur një takim të vështirë muajin e kaluar me Merkelin në Uashington duke u shprehur në një intervistë në fundjavë se  “ne kishim një afri të pabesueshme”.

Në ndryshim nga maturia e treguar nga pjesë të tjera të Evropës, Londra është përpjekur të konsolidojë rolin e saj si mikja më e mirë e Trumpit në rajon.

Madje kryeministrja britanike, Theresa May është përpjekur të  paraqesë veten si e dërguara e presidentit amerikan në Evropë.

Kryeministrja britanike, May u tha liderëve të Bashkimit Evropian se Trump e kishte siguruar se ishte 100 përqind mbështetës i NATO-s  në takimin ku ajo ishte udhëheqësja e parë e huaj që vizitoi Trumpin pasi mori  detyrën si president i SHBA-së në muajin janar të këtij viti.

Trump gjithashtu dëshiron të rikrijojë afërsinë e marrëdhënieve SHBA-Britani e Madhe në referencë  të raportit të ish – presidentit amerikan, Ronald Reagan dhe ish – kryeministres britanike, Margaret Thatcher në vitet 1980.

“Kur Trump thotë se dëshiron të ketë një raport shumë të veçantë,  unë jam e bindur se mund ta arrijmë këtë”, tha May për të përditshmen “The Financial Times”.

Trump ka pranuar ftesën e kryeministres britanike, May, të përcjellë nga mbretëresha Elizabeta II, për një vizitë shtetërore në Britani e Madhe më vonë këtë vit.

Por pas vendimit të tij ku ndalonte hyrjen në SHBA të shtetasve nga shtatë vende myslimane, pothuajse dy milionë qytetarë britanikë kanë nënshkruar një peticion online, me anë të së cilës kërkuan anulimin e vizitës për të shmangur turpërimin e monarkut.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson tha në parlament se qeveria e tij kundërshton urdhërin e ndalimin, por shtoi se aleanca e Britanisë së Madhe me SHBA-në ishte e “një rëndësie vitale”.

Por, si kryebashkiak i Londrës, Johnson akuzoi Trumpin në vitin 2015 se “ekspozimi i një injorance mjaft të mërzitshme e bën atë (Trumpin) sinqerisht të papërshtatshëm për të mbajtur postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, koment i dhënë pasi biznesmeni i Nju Jorkut përshkroi disa pjesë të kryeqytetit britanik si tepër të rrezikshme edhe për vetë policinë.

Në më pak se një vit më vonë, në postin e sekretarit të Jashtëm, Johnson tha se “presidenti i ri amerikan ishte një negociator dhe  mendoj se kjo mund të jetë një gjë e mirë për Britaninë e Madhe”. /DPA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Marsi sjell Magji në ETC
-Advertisement-

Të tjera