Lajme

“E turpshme dhe e papranueshme” – Vlora Çitaku reagon ashpër ndaj vendimit të Speciales për Thaçin

Autori: Gazeta inFokus 11:06 | 17 November 2026

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë, në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë, shkruan Gazeta Infokus.

Përmes një postimi në “Facebook”, Çitaku e ka cilësuar vendimin si të turpshëm dhe të papranueshëm, duke shprehur shqetësime serioze për paanshmërinë dhe administrimin e drejtësisë nga kjo gjykatë.

“E turpshme! E papranueshme! Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate. Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë”, ka theksuar ajo.

-Advertisement-

Çitaku ka paralajmëruar mobilizim dhe veprime konkrete politike, juridike e diplomatike në kundërshtim me atë që ajo e konsideron padrejtësi.

“Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund!”, ka shkruar Çitaku.

Në fund të reagimit, ajo ka mbrojtur luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se sakrifica e popullit të Kosovës për liri nuk mund të njolloset.

“Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset – asnjëherë. Me çlirimtarët, deri në liri ”, ka deklaruar ajo./Gazeta Infokus/

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy