Gjendja e grave në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese, veçanërisht për ato që përballen me dhunë dhe qëndrojnë në martesa toksike për shkak të kushteve ekonomike, paragjykimeve shoqërore dhe fëmijëve.
Për këtë çështje ka folur psikologia Mirjeta Pestisha, e ftuar në emisionin “Doktor Plus me Arjeta Osmani”, ku ka theksuar se shumë gra vazhdojnë të jetojnë në marrëdhënie të dhunshme, pasi nuk kanë mbështetje financiare apo familjare për t’u larguar.
Sipas saj, vajzat në shoqërinë tonë shpesh rriten me bindjen se duhet të durojnë gjithçka pasi të martohen.
“Vajza është rritur gjatë gjithë kohës që kur shkon te familja e burrit duhet të durojë. Përderisa shifrat na tregojnë për tregun e punës të grave, ne duhet ta konsiderojmë automatikisht që njëri prej faktorëve mund të jetë gjendja financiare, që ajo grua nuk ka se ku të shkojë”, ka deklaruar Pestisha.
Psikologia ka theksuar se një tjetër faktor që i pengon gratë të largohen nga martesat e dhunshme është stigmatizimi nga shoqëria dhe familja.
“Nëse një grua largohet nga një martesë e padëshirueshme, toksike, fajin dhe barrën e mban gruaja, jo burri”, ka thënë ajo.
Pestisha ka kritikuar edhe mentalitetin sipas të cilit gratë duhet të durojnë dhunën, duke theksuar se shpesh familjarët ua kufizojnë mundësitë për t’u larguar nga marrëdhëniet e tilla.
Ajo ka veçuar edhe një arsye tjetër pse shumë gra vazhdojnë të qëndrojnë në martesa toksike: fëmijët.
“Shumë qëndrojnë brenda një familjeje, në një martesë toksike, për shkak të fëmijëve, mirëpo nuk jemi të vetëdijshëm që brenda kësaj martese toksike, në të cilën ne po qëndrojmë për hatër të fëmijëve, vetëm fëmijët mund të jenë të dëmtuarit më të mëdhenj”, është shprehur psikologia.
Sipas saj, fëmijët që rriten në ambiente ku ka konflikte dhe dhunë mes prindërve përballen me pasoja në mirëqenien e tyre emocionale dhe psikologjike.
“Një fëmijë nuk mund të rritet shëndetshëm kur është prezent në një familje që ka dhunë, sepse fëmijët e ndjejnë. Nuk jemi aq të edukuar sa problemet tona t’i zgjidhim diku tjetër, mirëpo i bëjmë ende në prezencë të fëmijëve”, ka deklaruar Pestisha.
Ajo ka shtuar se edhe në rastet kur fëmijët nuk janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të konflikteve, ata e ndiejnë tensionin mes prindërve.
“Edhe nëse fëmijët nuk dëgjojnë konflikte, dhunë apo çfarëdo qoftë, fëmijët e ndjejnë mjaftueshëm shumë energjinë e babit dhe energjinë e nënës brenda një familjeje”, ka theksuar ajo.
Në fund, psikologia Mirjeta Pestisha ka vlerësuar se janë të shumtë faktorët ekonomikë, familjarë dhe shoqërorë që i detyrojnë gratë të vazhdojnë jetesën në martesa toksike, edhe kur këto marrëdhënie ndikojnë negativisht tek ato dhe fëmijët e tyre./Gazeta Infokus










