Lajme

Nis peticion për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së gjatë procedurës së apelit, kërkohen nënshkrime

Autori: Gazeta inFokus 11:47 | 17 September 2026

Një peticion i publikuar në platformën Change.org kërkon rishqyrtim të plotë të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, si dhe shqyrtimin e mundësisë së lirimit të tyre gjatë procedurës së apelit, shkruan Gazeta Infokus.

Peticionin, të titulluar “Drejtësi dhe Liri për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqinin – Kërkojmë Rishqyrtim të Plotë”, organizatorët e paraqesin si kërkesë për një proces të plotë dhe të pavarur të rishqyrtimit përmes mjeteve juridike në dispozicion.

Në tekstin e peticionit kërkohet që, për secilin prej katër të dënuarve, të shqyrtohet individualisht nëse vazhdimi i paraburgimit gjatë procedurës së apelit është i domosdoshëm dhe proporcional.

-Advertisement-

“Nëse plotësohen kushtet ligjore, kërkojmë lirimin e tyre gjatë procedurës së apelit”, thuhet në peticion.

Ndër kërkesat e peticionit janë rishqyrtimi i plotë dhe i pavarur i pjesëve të aktgjykimit që kundërshtohen në apel, shqyrtimi i përgjegjësisë penale individuale të secilit, vlerësimi i provave rënduese dhe shfajësuese, si dhe marrja parasysh e kohës së kaluar në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Po ashtu, kërkohet shqyrtim i menjëhershëm dhe individual gjyqësor nëse vazhdimi i paraburgimit gjatë procedurës së apelit mbetet i domosdoshëm dhe proporcional.

Peticioni kërkon që, nëse plotësohen kushtet ligjore dhe rreziqet eventuale mund të adresohen përmes masave proporcionale, katër ish-krerët e UÇK-së të lirohen gjatë procedurës së apelit.

Peticionuesit theksojnë se nisma nuk është e drejtuar kundër viktimave dhe se nuk synon të relativizojë krimet e kryera gjatë luftës. Sipas tyre, qëllimi është që aktgjykimi t’i nënshtrohet një kontrolli efektiv juridik dhe që përgjegjësia penale të vlerësohet individualisht mbi bazën e ligjit dhe provave.

Këto janë kërkesat  e tyre:

Ne kërkojmë për:

HASHIM THAÇIN
KADRI VESELIN
REXHEP SELIMIN
JAKUP KRASNIQIN

1. Rishqyrtim të plotë dhe të pavarur të të gjitha pjesëve të aktgjykimit të shkallës së parë që kundërshtohen në mënyrë të lejueshme në apel;

2. Rishqyrtim të kujdesshëm të përgjegjësisë penale individuale të secilit;

3. Vlerësim të plotë të provave rënduese dhe shfajësuese sipas standardeve juridike në fuqi;

4. Marrjen parasysh të kohës së kaluar në paraburgim që nga nëntori 2020;

5. Shqyrtim të menjëhershëm dhe individual gjyqësor nëse vazhdimi i paraburgimit gjatë procedurës së apelit mbetet i domosdoshëm dhe proporcional;

dhe

6. Lirimin e tyre gjatë procedurës së apelit nëse plotësohen kushtet ligjore dhe rreziqet eventuale mund të adresohen në mënyrë të mjaftueshme përmes masave proporcionale.

Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Më 16 shtator 2026, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës shpalli aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas Dhomave të Specializuara, të katër u gjetën penalisht përgjegjës për krimet e luftës që lidhen me ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturën e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave. (KSC & SPO⁠)

Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet, ndërsa Krasniqi me 25 vjet burgim. Në dënimet e tyre llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në të njëjtin aktgjykim, Trupi Gjykues i shpalli të katër të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, duke konstatuar se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik ndaj një popullsie civile. Gjithashtu, pati shpallje të pafajësisë lidhur me një numër incidentesh konkrete të akuzuara si krime lufte.

Peticionuesit argumentojnë se, për shkak të peshës së aktgjykimit dhe dënimeve të shqiptuara, procedura e apelit duhet të mundësojë një rishqyrtim efektiv të çështjeve që do të kundërshtohen në mënyrë të lejueshme.

Peticionin në Change.org mund ta gjeni këtu

 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy