Lajme

Ambasadori gjerman: Aktgjykimi në Hagë nuk e ndryshon përgjegjësinë e ish-Jugosllavisë

Autori: Gazeta inFokus 19:57 | 16 September 2026

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të bashkëakuzuarve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të vendimit të gjykatës dhe të viktimave.

Në qëndrimin e tij, Rudolph nënvizoi se procesi gjyqësor kishte në fokus akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa sqaroi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe synimi për një Kosovë të pavarur nuk ishin objekt i gjykimit.

“Siç theksoi kryetari i trupit gjykues gjatë shpalljes së aktgjykimit, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) nuk ishte në gjyq, sikurse nuk ishte as qëllimi i saj për një Kosovë të pavarur”, thuhet në deklaratën e ambasadorit gjerman.

-Advertisement-

Rudolph theksoi se Gjermania e ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara që nga themelimi i tyre, duke e konsideruar këtë mekanizëm si një kontribut të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, “në forcimin e sundimit të ligjit dhe në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”.

Ambasadori gjerman e cilësoi themelimin e DhSK-së dhe bashkëpunimin me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) si dëshmi të përgjegjësisë së Kosovës për të përballuar të kaluarën e saj.

Sipas tij, përmes këtyre proceseve, Kosova ka treguar se, si shtet i pavarur dhe sovran, po përmbush përgjegjësinë e saj për trajtimin e krimeve të luftës.

Në të njëjtën kohë, Rudolph theksoi se aktgjykimi i shpallur në Hagë nuk e ndryshon përgjegjësinë e aktorëve jugosllavë për luftën dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë viteve ’90.

“Aktgjykimi në asnjë mënyrë nuk i shfajëson aktorët jugosllavë nga përgjegjësia për konfliktin e armatosur dhe shkeljet në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut të shkaktuara ndaj popullit të Kosovës në fund të viteve ’90”, thuhet në deklaratë.

Në fund, ambasadori gjerman bëri thirrje që vendimi i gjykatës të pranohet dhe të respektohet nga të gjitha palët, duke vënë në qendër dinjitetin e viktimave.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë aktgjykimin dhe dinjitetin e viktimave”, përfundon qëndrimi i ambasadorit Rainer Rudolph.

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy