Lajme

Specialja del me komunikatë pas verdiktit të shkallës së parë: Thaçi 25 vjet, Veseli 18, Selimi 13 e Krasniqi 25 vjet burgim

Autori: Gazeta inFokus 12:16 | 16 September 2026

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë publikuar komunikatën zyrtare pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas komunikatës, Trupi Gjykues i ka shpallur të katër fajtorë për krime lufte, ndërsa i ka shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, Rexhep Selimi me 13 vjet, ndërsa Jakup Krasniqi me 25 vjet burgim. Në dënimet e shqiptuara do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

-Advertisement-

Specialja: Prokuroria nuk i vërtetoi krimet kundër njerëzimit

Një prej pjesëve kryesore të aktgjykimit është rrëzimi i akuzave për krime kundër njerëzimit.

Sipas komunikatës, Prokuroria e Specializuar nuk arriti të vërtetonte përtej dyshimit të arsyeshëm se kishte ekzistuar një sulm i përhapur ose sistematik kundër një popullate civile. Katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm edhe në lidhje me një numër incidentesh të pretenduara si krime lufte.

Megjithatë, Trupi Gjykues i gjeti penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar ndaj 385 personave, trajtimit mizor ndaj 49 personave, torturës ndaj 303 personave dhe vrasjes së paligjshme të 96 personave.

Çfarë tha Gjykata për UÇK-në?

Në komunikatë, Dhomat e Specializuara theksojnë se gjykimi nuk kishte të bënte me legjitimitetin e UÇK-së dhe synimin e saj për një Kosovë të pavarur.

Kryegjykatësi tha gjithashtu se procesi nuk kishte të bënte me krimet e kryera nga forcat dhe paraushtarakët serbë kundër shqiptarëve të Kosovës, por vetëm me pretendimet konkrete të aktakuzës dhe përgjegjësinë penale të katër të akuzuarve.

Çfarë konstatoi Trupi Gjykues për Thaçin dhe Veselin?

Për Hashim Thaçin, Trupi Gjykues konstatoi se, si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe shef i Drejtorisë Politike, ai kishte rol kyç në atë që Gjykata e cilësoi si formulim dhe zbatim të qëllimit të përbashkët për shënjestrimin e kundërshtarëve. Trupi Gjykues konstatoi gjithashtu përfshirje personale të Thaçit në arrestimin, ndalimin arbitrar dhe marrjen në pyetje të 13 parlamentarëve, si dhe në rastin e Behajdin Allaqit.

Për Kadri Veselin, Trupi Gjykues tha se, në cilësinë e shefit të Drejtorisë së Zbulimit, ndër përgjegjësitë e tij ishin identifikimi, sigurimi i informacionit, vëzhgimi dhe neutralizimi i personave të dyshuar si “kolaboracionistë”. Sipas Gjykatës, Veseli ishte përfshirë personalisht në identifikimin dhe shënjestrimin e kundërshtarëve.

Për Rexhep Selimin, Trupi Gjykues konstatoi se pozita e tij si inspektor i përgjithshëm i jepte më pak pushtet në krahasim me të akuzuarit e tjerë, por e konsideroi atë kontribuues në zbatimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Për Jakup Krasniqin, Gjykata konstatoi se ai kishte rol kyç në formulimin dhe zbatimin e politikës së shënjestrimit të kundërshtarëve.

Në komunikatë, Trupi Gjykues pretendon se procesi është zhvilluar në një “atmosferë të vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve”.

Sipas tij, disa dëshmitarë të Prokurorisë tërhoqën deklaratat e mëhershme, shmangën dhënien e detajeve, ndryshuan dëshmitë ose, sipas vlerësimit të Gjykatës, gënjyen para trupit gjykues. Në të njëjtën kohë, Gjykata vlerësoi se shumica e dëshmitarëve dëshmuan me guxim dhe vendosmëri.

Procesi gjyqësor kishte nisur më 3 prill 2023. Sipas të dhënave të Speciales, gjatë gjykimit u morën provat e 273 dëshmitarëve, u pranuan 5,467 prova materiale, ndërsa transkripti i procesit arriti në 29,238 faqe./Gazeta Infokus 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy