Lajme

Smajli pas raportit të Këshillit të Evropës për lirinë e mediave: Kur gazetarët trajtohen si armiq, nuk rrezikohet vetëm media, por edhe demokracia

Autori: Gazeta inFokus 14:32 | 20 July 2026

Gazetarja Hateme Smajli ka reaguar pas publikimit të gjetjeve të organizatave evropiane për gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë, duke thënë se situata tashmë ka kaluar përtej shqetësimeve të gazetarëve dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Smajli ka deklaruar se raportet ndërkombëtare përbëjnë një alarm serioz për rënien e lirisë së mediave në vend, shkruan Gazeta Infokus.

“Ky nuk është më vetëm raport i gazetarëve. Nuk është më vetëm raport i AGK-së. Ky është alarmi i organizatave më të rëndësishme evropiane për lirinë e mediave”, ka shkruar ajo.

-Advertisement-

Sipas saj, Kosova, e cila dikur konsiderohej shembull në rajon për lirinë e shtypit, sot përshkruhet si një vend ku mediat po përballen me presione politike, sulme verbale ndaj gazetarëve, përpjekje për kontroll të institucioneve mediale dhe mungesë transparence.

Ajo ka theksuar se në raport flitet për denigrim dhe stigmatizim të gazetarëve, presion mbi transmetuesin publik, cenim të pavarësisë së Komisionit të Pavarur të Mediave, rritje të kërcënimeve dhe krijim të një klime gjithnjë e më armiqësore ndaj mediave.

“Më e rënda është se këto nuk janë vetëm perceptime. Janë gjetje të dokumentuara të organizatave ndërkombëtare që monitorojnë lirinë e mediave në Evropë”, ka deklaruar Smajli.

Gazetarja ka paralajmëruar se trajtimi i gazetarëve si armiq dhe konsiderimi i pyetjeve e kritikave si sulme përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për demokracinë.

“Kur gazetarët shihen si armiq, kur pyetjet trajtohen si sulme dhe kur kritika konsiderohet problem, nuk rrezikohet vetëm profesioni ynë. Rrezikohet demokracia”, ka shkruar ajo.

Smajli ka shtuar se pa media të lira nuk mund të ketë pushtet që jep llogari, ndërsa në mungesë të llogaridhënies, qytetarët janë ata që humbin më së shumti.

“Sepse pa media të lira nuk ka pushtet që jep llogari. Dhe kur pushteti nuk jep llogari, humbësi i vetëm është qytetari”, ka përfunduar ajo.


Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy