Lajme

Raporti i Këshillit të Evropës: Liria e mediave në Kosovë në rënie, alarm për rritje të sulmeve dhe presione politike ndaj gazetarëve

Autori: Gazeta inFokus 13:58 | 20 July 2026

Liria e mediave në Kosovë ka hyrë në një periudhë të rënies gjatë tri viteve të fundit, kryesisht si rezultat i presioneve politike, ndërhyrjeve në institucionet mediale dhe klimës gjithnjë e më armiqësore ndaj gazetarëve.

Ky është përfundimi i raportit të publikuar nga partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës për Promovimin e Mbrojtjes së Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, i hartuar pas misionit faktmbledhës të zhvilluar në Kosovë në mars të këtij viti.

Raporti thekson se, megjithëse Kosova vazhdon të ketë pluralizëm mediatik dhe nivel të ulët të dhunës fizike ndaj gazetarëve, zhvillimet politike të viteve të fundit kanë dëmtuar seriozisht lirinë e mediave.

-Advertisement-

“Liria e mediave në Kosovë ka shënuar qartazi një periudhë të rënies.”

Sipas raportit, vendi ka rënë me 28 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Mediave të Reporterëve pa Kufij, duke u renditur në pozitën e 84-të në vitin 2026.

Rritje e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve

Raporti evidenton një përkeqësim të ndjeshëm të klimës së sigurisë për gazetarët, duke theksuar se denigrimi, diskreditimi dhe sulmet verbale janë shtuar ndjeshëm, veçanërisht nga figura të larta politike.

Autorët e raportit vlerësojnë se kjo retorikë ka krijuar një klimë toksike për ushtrimin e profesionit.

“Përkeqësimi i klimës për sigurinë e gazetarëve… po ka ndikim toksik si në diskursin publik, ashtu edhe në sigurinë e profesionit.”

Sipas raportit, vetëm gjatë vitit 2025 Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka regjistruar 69 raste që përfshijnë gazetarë dhe media, krahasuar me 54 raste në vitin 2024, 33 në vitin 2022 dhe 29 në vitin 2021. Deri në publikimin e raportit, gjatë vitit 2026 ishin regjistruar edhe 24 raste.

Raporti thekson se janë shtuar edhe sulmet kibernetike ndaj mediave, ndërsa gazetaret gra vazhdojnë të jenë ndër grupet më të ekspozuara ndaj kërcënimeve, gjuhës seksiste dhe ngacmimeve online.

Kritika për gjuhën e zyrtarëve të lartë

Delegacioni vlerëson se një pjesë e konsiderueshme e presioneve verbale ndaj gazetarëve vijnë nga politikanë të nivelit të lartë dhe përmend në mënyrë të veçantë zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në raport përmenden edhe deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj mediave dhe gazetarëve, të cilat sipas delegacionit kanë kontribuar në delegjitimimin e profesionit të gazetarit.

Po ashtu rikujtohet bojkoti që Vetëvendosje u kishte bërë televizioneve kombëtare gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, si dhe rastet kur gazetarët janë etiketuar publikisht ose janë penguar gjatë kryerjes së detyrës.

RTK nën presion politik dhe financiar

Një kapitull i veçantë i raportit i kushtohet Radio Televizionit të Kosovës.

Delegacioni shpreh shqetësime serioze për financimin e pamjaftueshëm të transmetuesit publik, pasigurinë institucionale, vonesat e pagave, si dhe pretendimet për ndërhyrje politike në politikën editoriale.

Raporti përmend largimin e prezantuesve të lajmeve, ndërprerjen e emisioneve, procedurat disiplinore ndaj gazetarëve dhe mosvazhdimin e kontratave të disa gazetareve, ndërsa thekson se, pavarësisht mohimeve të menaxhmentit, shqetësimet e gazetarëve mbeten serioze.

Alarm edhe për KPM-në

Raporti kritikon ashpër edhe zhvillimet rreth Komisionit të Pavarur të Mediave.

Sipas delegacionit, ligji për KPM-në, i cili më vonë u shpall antikushtetues, do të mundësonte rritjen e kontrollit politik mbi rregullatorin e mediave.

Po ashtu kritikohet procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KPM-së në vitin 2026, i cili cilësohet si i përshpejtuar, jotransparent dhe me parregullsi që cenojnë përzgjedhjen meritore.

Institucionet kritikohet për mungesë transparence

Delegacioni konstaton se transparenca e institucioneve publike mbetet problem serioz dhe se gazetarët vazhdojnë të kenë vështirësi në sigurimin e dokumenteve publike dhe qasjen në informacion.

Raporti evidenton se numri i ankesave për mosdhënie të qasjes në dokumente publike është rritur vazhdimisht, duke arritur 927 ankesa gjatë vitit 2025, niveli më i lartë i regjistruar deri më tani.

Thirrje për rikthimin e besimit

Në përfundim, partnerët e Platformës së Këshillit të Evropës kërkojnë nga qeveria e ardhshme të ndërmarrë reforma konkrete për mbrojtjen e lirisë së mediave, forcimin e pavarësisë së institucioneve mediale dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për gazetarët.

“Qeveria e ardhshme duhet të bëjë punë të konsiderueshme për ta rindërtuar besimin në kredencialet e saj demokratike dhe për t’u rikthyer në rrugën e mëparshme të progresit të lirisë së mediave.”/Gazeta Infokus

Raporti i plotë:

Kosovo-Mission-Report-July-2026-ALBANIAN

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy