Lajme

“7 muaj i ngujuar brenda, vështirë të gjykosh drejtë” – Vokrri thotë se nënkryetarja serbe që u zu duke konsumuar drogë e “manipuloi emocionalisht” Lulzim Hetemin

Autori: Gazeta inFokus 16:58 | 21 December 2024

Nëntë ditë në izolim në objektin e komunës së Leposaviqit, kryetari Lulzim Hetemi i kaloi me zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.

Mirëpo, një vit e gjysmë pas, raportet mes Hetemit dhe Vokrrit nuk janë të njëjta, shkruan Gazeta Infokus.

Që të dy kanë vetëm komunikim zyrtar mes tyre.

-Advertisement-

I ftuar në emisionin “Infotalks” në Gazeta Infokus, Vokrri ka treguar se shumë gjëra ndikuan që raportet mes tyre të prishen. Ndër to, edhe disa emërime në pozitat kyçe drejtuese të komunës.

“Nëse dikush ka mbetë i ngujuar shtatë muaj brenda, nuk e ka lehtë me gjyku tash se kënd e ka mik e kënd e ka armik. Nuk është krejt në rrjedha se cka ka ndodhë jashtë dhe rreth e rrotull”, ka thënë fillimisht Vokrri.

Ai më tej ka folur për skandalin e konsumimit të substancave narkotike brenda objektit komunal.

Në disa pamje të publikuara nga media “Nacionale”, nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, shihej duke konsumuar kokainë në një prej ambienteve të komunës.

Vokrri e pranoi se Miletiq u propozua për anëtare të kabinetit të Hetemit nga Radoica Radomiroviq, zëvendësministri tjetër i qeverisë, bashkëpunëtor i ngushtë i Vokrrit.

“Kemi diskutuar bashkë me kryetarin Hetemi dhe me Radoicën për me i nda pozitat. Cilat drejtori po i marrin shqiptarët dhe cilat serbët dhe e bënim verifikimin e propozimeve për ato drejtori që merreshin, që a bën apo jo të jenë këta njerëz që na i propozonte prapë Radoica. Verifikimin e kryente AKI-ja”, tregoi Vokrri.

Mirëpo, ai tha se gjërat nisën të ndryshojnë shpejtë dhe hodhi një pretendim të rëndë ndaj Hetemit.

“Ndërkohë kjo si zëvendëskryetare fillon me e marrë veten seriozisht, ndoshta më seriozisht sesa që duhet dhe filloi pak ndoshta me e manipulu emocionalisht edhe kryetarin, edhe me i jep rekomandime e sygjerime që ajo e konsideronte që ia vlen. Gazetari: Cka është ky manipulimi emocional nëse mundesh me na e spjegu? Për një burrë nuk është e lehtë me e pa një grua duke qajtë përballë dhe duke u anku, sidomos në momente kur e ke përshtypjen se ajo grua është duke rreziku që me të ndihmu ty dicka. Edhe ngjashëm ajo i ka nxitë edhe shoqe të saj, kojshi, kushërinjë e gra të tjera, hajdeni kështu me lot në sy, në zyre të kryetarit bëni kërkesë edhe ju ndihmojmë bashkë. Ai kryetari prej qëllimeve më të mira është mundu me i mirëkuptu dhe me ju ndihmu. Dhe filloi tash me u bë një grup i kësaj Draganës aty brenda”, theksoi Vokrri.

I pyetur nëse Miletiq e “manipuloi emocionalisht” edhe vet Vokrrin, pasi ishte ai që morri pjesë në përzgjedhjen e Draga Miletiq nënkryetare, zëvendësministri përgjegjësinë ia hodhi Radoica Radomiroviqit, i cili është shkarkuar nga pozita e zëvendësministrit para pak javësh. /Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edicioni i 6-të i Garage Sale sjell zbritje të madhe në Comodita Home!
-Advertisement-

Të tjera