Përkujtohen Mujë Krasniqi e 41 dëshmorët e tjerë, kërkohet shfuqizimi i Speciales
Autori: Gazeta inFokus 20:06 | 14 December 2024
Në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit Mujë Krasniqit dhe 41 luftëtarëve në kufirin shqiptaro-shqiptar, sot është organizuar një akademi përkujtimore.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, derisa foli për veprimtarinë dhe rënien heroike të Krasniqit dhe 41 dëshmorëve të tjerë, tha se në Hagë po mbahen padrejtësisht krerët e UÇK-së, teksa pati edhe një thirrje për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Sot bashkë po e kujtojmë betejën e ndritur në përvjetorin e 26-të ku komandanti Mujë Krasniqi qëndroi stoik, luftoi me bashkëluftëtarë dhe ranë për të mos vdekur kurrë… Jam i vetëdijshëm që është vështirë të gjesh fjalë të thuash dhe përshkruash veprimtarinë e kësaj beteje të lavdishme. Mujë Krasniqi para se të kishte një 14-vjetor dhe të bie në fushën e nderit, kishte 28 nëntorin e vitit 1997, ku bashkë me Rexhep Selimin, bashkë me gjeneralin e nderuar Daut Haradinaj e bënë publike luftën e lavdishme të UÇK -së… Pra, Rexhep Selimi me bashkëluftëtarët, bartësit, udhëheqësit dhe themeluesit të UÇK-së po mbahen në Hagë padrejtësisht. Po mbahen në Hagë nga një gjykatë e cila nuk është dashur fare të formohet sepse në të gjitha instancat e drejtësisë është faktuar lufta jonë e drejtë… Lufta jonë ka qenë domosdoshmëri, e pastër dhe çlirimtare…Si ka mundësi që mos të ngrihet zëri i krerëve të institucionit mbi ato shpifjet se gjoja UÇK -ja ka bërë trafikim organesh? Kërkojmë në vazhdimësi nga deputetë e Parlamentit të Republikës së Kosovës që në mundësinë e parë të iniciojnë shfuqizimin e kësaj gjykate”, tha Jashari.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, njëherësh kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “fjalët janë të varfra” për ta përshkuar figurën e heroit Mujë Krasniqi dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Unë kam pasur nderin ta njoh nga afër Mujën, Aliun, por edhe bashkëluftëtarët tjerë të cilët i kujtojmë sot. Fjalët janë të varfra për të folur për figurën e tyre. Thënë ndryshe, Muja s’ka pranuar kurrë rrethim, s’ka pranuar me qenë kurrë i rrethuar. S’ka pranuar pengesa, nuk ka pranuar sfidë që e ndalë…Kur ishim në luftime të ashpra në Dukagjin edhe u pakësuam në numër e teknikë, Muja me Aliun dhe shumë bashkëluftëtarë të tjera na u bashkuan për një kohë të gjatë derisa rimorëm fuqinë tonë… Asnjëherë nuk duhet harruar për të vërtetuar që jemi UÇK, kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithnjë…Neve na u imponua edhe filtri i drejtësisë së EULEX-it. EULEX-i ngriti gjykata, procese gjyqësore, arrestoi trajtoi dhe të gjitha ato procese mbi UÇK-në. Thuajse ne kemi shkuar nëpër botë e kemi bërë krime e gjenocid. Ishte edhe kjo e fundit, tepër e padrejtë. Është e padrejtë të mbahen themeluesit e UÇK-së, bashkëluftëtarët tonë në këtë gjykatë. Kërkojmë një drejtësi fer”, tha Haradinaj.
Historiani Sabit Syla ndau një kronologji të ngjarjeve të luftës për çlirim të Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Ata që luftuan 27 vite më parë së bashku me Mujë Krasniqin nuk ishin thjesht ushtarë. As beteja e ushtruar nuk ishte thjesht vetëm një përballje ushtarake. Ajo ishte një luftë për dinjitet, ku brezat e ardhshme do të gëzonin lirinë dhe drejtësinë që meritoi… Dalja në skenë e UÇK -së nga Mujë Krasniqi me dy bashkëluftëtarët e tij, ishte jo vetëm një ngjarje ushtarake, por një kthesë e madhe në aspektin politik dhe diplomatik të Kosovës. Pasi në këto tri fronte UÇK-ja drejtoi Kosovën drejt çlirimit… Pavarësisht sfidave dhe vështirësive të ndryshme që ishin në atë kohë puna mbi aktivitetin dhe luftën e Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij, UÇK-ja u organizua. Përpiloi rregullore që përcaktoi strukturën e trupave ushtarake, kreu sulme të koordinuara kundër Serbisë, si dhe zbatoi plane strategjike”, tha Syla.
Në emër të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, ka folur komandanti i batalionit të dytë, Isa Xhemajli.
“Lufta kërkon sakrifica të mëdha, shkakton frikë, dhunë, shkatërrim dhe mbi të gjitha merr jetë njerëzish…Por, kur ajo të imponohet si rezultat i shtypjes, përbuzjes, nënçmimit dhe mohimit të ekzistencës si popull gjithsesi je i detyruar që me çdo kusht dhe mjet, qoftë edhe me luftë t’i mbrosh të drejtat tua… Kjo ishte e domosdoshme të ndodhte atë kohë në Kosovën tonë të robëruar. Shembulli unik i luftës dhe sakrificës kundër shtypjes dhe luftës për lirin ishte familja e madhe e komandantit legjendar Adem Jashari…Përveç dëshmorëve respekt e mirënjohje meritojnë edhe rreth 300 të plagosur dhe 2 mijë ushtarë të Brigadës 113 Mujë Krasniqi. Brigada 113 u formua mbi celulat e para të UÇK-së me 19.08.1998 duke ndërtuar strukturë dhe formacione ushtarake…Krenaria e kësaj brigade qëndron tek ushtarët e saj, të cilët kishin kuptuar mirë misionin që kishin mbi supe dhe ishin të gatshëm të sakrifikonin deri në flijim pa u menduar dy herë, sepse në ballë të tyre në të gjitha betejat qëndronte më i madhi, më i guximshmi, më trimi komandanti i tyre Mujë Krasniqi”, tha Xhemajli.
Mujë Krasniqi ra heroikisht së bashku me 41 luftëtarë të UÇK-së më 14 dhjetor 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri./kp
Të tjera
-
Parashikimi i motit për të dielën
Për të dielën parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët, ku pritet të ketë...
-
Kurti kujton rënien e Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij
Në 26-vjetorin e rënies heroike të Mujë Krasniqit dhe 40 ushtarëve të UÇK...
-
Dy të lënduar nga një aksident trafiku në Emshir
Dy persona janë lënduar në lagjen Emshir të Prishtinës si pasojë e një a...
-
Diskutohen prioritetet e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë për fuqizimin e diasporës
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në kuadë...
-
MPJD: Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të përkushtuara drejt integrimit evropian
Në margjina të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, zëvendësministrja e Punëve të ...
-
Historia/ Çfarë ka ndodhur me Parashqevi Simakun?
Parashqevi Simaku është një emër ikonë për muzikën shqiptare. Përpara vit...
-
Dy të lënduar nga aksidenti në rrugën Lipjan – Prishtinë
Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mes dy vetura...
-
Daut Haradinaj: Mbështetja e mërgatës sonë nuk është thjesht simbolike, por një dëshmi e qartë se Aleanca po rritet
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), D...
-
Hapja e fabrikës së mụnicionit në Kosovë, opozita e sheh si mision të parealizuar
Hapat e parë për hapjen e një fabrike për prodhim të municionit në Kosovë jan...
-
Gjendet i vdẹkur një person në Shkrel të Rugovës
Një person është gjetur pa shenja jete në fshatin Shkrel të Rugovës. Fadil...
-
“Dështimi më i madh i kesaj qeverisjeje është pikërisht izolimi dhe stagnimi i vendit”, Haradinaj prezanton kandidatet nga Podujeva
Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, pa prezantuar kandidatët për dep...
-
Osmani e falënderon Carpenterin për mbështetjen që ShBA-ja i ka dhënë Kosovës
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pasur një darkë pune me Drejtorin për ...