Lajme

Faktet që hedhin dritë mbi pastërtinë e luftës së UÇK-së: Bardhyl Mahmuti promovon librin më të ri në Gjermani

Autori: Gazeta inFokus 13:17 | 14 December 2024

Përpara vendosjes së kontakteve diplomatike ndërmjet përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe diplomatëve amerikanë, aksionet e UÇK-së kundër forcave serbe cilësoheshin si “akte terroriste” nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe, rrjedhimisht, nga shtetet më të fuqishme të skenës politike ndërkombëtare.

Për të ndryshuar këtë qasje të gabuar të shumë qarqeve diplomatike dhe për të treguar të vërtetën mbi gjenocidin serb në Kosovë, u angazhuan shumë veprimtarë të shquar të kohës. Njëri nga ta, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm për pasqyrimin e së vërtetës dhe për tregimin e krimeve serbe që ndodhnin në Kosovë, ishte Bardhyl Mahmuti. Edhe pas përfundimit të luftës, Mahmuti vazhdoi të kontribuojë në sensibilizimin e drejtësisë së luftës çlirimtare dhe pasqyrimin e krimeve serbe.

 

-Advertisement-

 

Së fundmi, ai botoi librin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Në shënjestër të vazhdueshme”.

Në vazhdën e promovimit të këtij libri në qendrat kryesore të Evropës, vepra u prezantua edhe në Heilbronn, Gjermani. Para dhjetëra bashkatdhetarëve, Bardhyl Mahmuti foli në detaje për përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, për luftën çlirimtare dhe për padrejtësitë e Gjykatës Ndërkombëtare ndaj drejtuesve të UÇK-së.

“Lufta jonë në terren, falë burrave dhe grave, por edhe falë ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare, rezultoi me një fitore të madhe që largoi Serbinë njëherë e përgjithmonë nga Kosova. Tani, përpjekja jonë duhet të fokusohet në mbrojtjen dhe pastërtinë e kësaj përpjekjeje shekullore. Këtë po e bëjnë drejtuesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, këtë duhet ta bëjmë edhe ne, secili prej nesh, duke treguar të kaluarën tonë,” deklaroi Bardhyl Mahmuti.

Nikoqir i kësaj ngjarjeje ishte Shahin Dervishaj, kryetar i Degës së PDK-së për Baden-Württemberg dhe kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Dervishaj vlerësoi lart kontributin e Mahmutit para, gjatë dhe pas luftës.

“Kontributi i Bardhyl Mahmutit në sensibilizimin e kauzës për çlirimin e Kosovës ishte i madh dhe vështirë i përshkrueshëm. Në kohët më të vështira, ai hapi shumë dyer në diplomacinë botërore për të treguar të vërtetën e ngjarjeve në Kosovë. Kështu, ai u bë zëri i gjithë sakrificës dhe i të drejtës sonë për çlirim dhe pavarësi,” theksoi Dervishaj.

Libri i Mahmutit përshkruan në detaje përpjekjet e Kosovës për çlirim dhe luftën e pastër të UÇK-së.

Disa nga pyetjet që trajtohen në këtë libër përfshijnë:

  • Për cilat takime bëhet fjalë dhe kush e përfaqësoi UÇK-në?
  • Si u organizuan takimet dhe cili ishte roli i shtetit shqiptar?
  • Cilat tema u trajtuan gjatë bisedimeve dhe si u realizua fitorja diplomatike e UÇK-së?
  • Cili ishte roli i Qeverisë së Përkohshme gjatë periudhës përfundimtare të luftës dhe pse mungesa e konsensusit politik e la Kosovën pa institucione të përkohshme drejtuese?
  • Si e shfrytëzoi Serbia mungesën e aktivitetit diplomatik të Kosovës për të përhapur imazhin negativ për UÇK-në dhe si u sajua gënjeshtra për “trafikimin e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë”?• Pse u mobilizuan Carla Del Ponte dhe Dick Marty pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?
  • Kush ishin hartuesit e raportit të përvetësuar nga Dick Marty dhe cila ishte prapavija e tij?
  • Si u sajua termi “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët” dhe përse aktakuza e ngritur kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit vë në bankën e të akuzuarve luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës?

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera