Lajme

KE: Rritet mbi 100 për qind numri i kërkesave të pabaza për azil nga Kosova

Autori: Gazeta inFokus 18:50 | 09 December 2024

Komisioni Evropian (KE) ka tërhequr vërejtjen të hënën se në disa vende anëtare të Bashkimit Evropian ka rritje të madhe të numrit të kërkesave të pabaza për azil nga shtetasit e Kosovës, në vitin e parë pas heqjes së regjimit të vizave.

Megjithatë, Kosova në përgjithësi vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizimin e vizave, tha KE-ja në raportin e fundit të saj në kuadër të “mekanizmave për suspendimin e liberalizimit të vizave”.

Komisioni Evropian përpilon raporte të tilla për të gjitha vendet që gëzojnë liberalizimin e vizave për të parë nëse ka nevojë që të shqyrtohet mundësia e rivendosjes së regjimit të vizave.

-Advertisement-

Kjo është hera e parë që Kosova përfshihet në një raport të tillë prej kur BE-ja i hoqi vizat për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i këtij viti.

Nga janari deri në korrik të këtij viti, mesatarisht mbi 550 kosovarë kanë kërkuar azil në vendet e Evropës çdo muaj.

Kjo shifër është dukshëm më e lartë se mesatarja në gjashtë vjetët e kaluar.

Por, në raport theksohet se, për Kosovën është akoma herët të bëhen konstatime të sakta se çfarë ndikimi ka pasur liberalizimi i vizave, pasi nuk ka të dhënë për tërë vitin.

Në raportin e vitit të ardhshëm, KE-ja do t’i kenë në dispozicion të dhënat e plota.

Megjithëkëtë, në raport thuhet se “disa vende anëtare kanë raportuar rritje domethënëse të kërkesave të pa bazuara për azil nga qytetarët e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024”.

“Në shtatë muajt e parë të vitit 2024 janë paraqitur 3.905 kërkesa për azil në vendet e BE-së nga shtetasit e Kosovës, që paraqet rritje prej 108 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”, thuhet në raport.

Në këtë raport, Komisioni Evropian kërkon që autoritetet e Kosovës të vendosin mekanizma për shkëmbimin e të dhënave me vendet anëtare për ta vëzhguar rrjedhën e imigrimit të paligjshëm dhe trendët e kërkesave për azil.

Kosovës gjithashtu i kërkohet ta rifillojë fushatën e brendshme të informimit për të drejtat dhe obligimet gjatë udhëtimit në vendet e Zonës Schengen dhe të bashkëpunojë në mënyrë dypalëshe me vendet që janë më të goditura nga dukuria e kërkesave të pabaza për azil.

Një çështje tjetër që ka kërkuar Komisioni Evropian nga Kosova lidhur me vazhdimin e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave është edhe përshtatja e regjimit të vizave të Kosovës me atë të BE-së. Kjo është kërkesë e bllokut për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

BE-ja kërkon që të gjitha vendet e rajonit ta përshtatin tërësisht këtë regjim me atë të bllokut, që do të thotë se për të gjitha shtetet për të cilat kërkon viza BE-ja, duhet të kërkojnë edhe ato.

Kosova tani për tani i ka 16 shtete qytetarët e të cilave kanë nevojë për viza për të udhëtuar për në BE, por mund të vijnë në Kosovë pa viza. Kjo mundësi e udhëtimit pa viza në vendet e rajonit të Ballkanit për BE-në konsiderohet si rrezik potencial për imigrim ilegal në vendet e saj anëtare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera