Lajme

“U shkëmbyen mesazhe për dëshmitarët” – Detaje nga aktakuza e plotë ndaj Thaçit, Kuçit, Smakajt, Kilajt e Fazliut

Autori: Gazeta inFokus 23:49 | 06 December 2024

Në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar  ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit, tregohen veprimet e pretenduara se si katër të akuzuarit kanë bashkërenduar për të ndikuar në mënyrë të paligjshme ndaj dëshmitarëve në çështjen gjyqësore në të cilën Thaçi akuzohet për krime lufte.

Sipas aktakuzës së ZPS-së, pretendohet se kjo ka ndodhur në mes datave 12 prill dhe 2 nëntor 2023.

“Midis datës 12 prill 2023 dhe 2 nëntor 2023, Hashim THAÇI zbuloi informacione sekrete të dhëna atij gjatë gjykimit të tij, duke shkelur urdhrat e gjykatës, dhe, së bashku me Fadil FAZLIU, Bashkim SMAKAJ, Isni KILAJ dhe Hajredin KUÇI, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme dëshmitarët e ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në aktakuzën e ZPS-së.

-Advertisement-

Sipas aktakuzës, Fadil Fazliu e vizitoi Thaçin më 2 korrik 2023 në paraburgim në Hagë dhe gjatë vizitës ky i fundit i dha informacione konfidenciale për dëshmitarët e ZPS-së e po ashtu edhe udhëzime të hollësishme për t’ia përcjellë një dëshmitari lidhur me mënyrën se si duhet të dëshmojë.

Aty thuhet se Thaçi dhe Fazliu diskutuan për mënyrat për t’i përcjellë këto udhëzime e që si rrjedhojë kanë rënë dakord që djali i Fazliut, Fahri Fazliu të kontaktonte me njërin prej dëshmitarëve për të caktuar takim.

“Më 3 korrik 2023, Fahri FAZLIU shkëmbeu mesazhe me Dëshmitarin 1 për të organizuar një takim, në përputhje me udhëzimet e Hashim THAÇIT”, thuhet në aktakuzën e ZPS-së.

Në të njëjtën kohë, sipas ZPS-së dëshmitari nuk ishte konfirmuar publikisht si dëshmitar në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit dhe intervistat e tij për ZPS-në ishin konfidenciale.

ZPS-ja thotë se dëshmitari filloi të dëshmojë në çështjen e Thaçit pas vizitës së 2 korrikut 2023.

Ndërsa, më 3 shtator 2024, ZPS-ja në aktakuzë shpjegon një takim tjetër të Thaçit me Hajredin Kuçin në qendrën e paraburgimit, ku gjatë kësaj vizite Thaçi kishte dhënë udhëzime për t’ia përcjellë dëshmitarëve që ZPS-ja emrat e tyre i ka redukatuar dhe i ka quajtur dëshmitari 5, 2 dhe 6.

“Hajredin KUÇI e konfirmoi dhe miratoi vazhdimisht këto udhëzime, madje duke propozuar sugjerime për mënyrën se si të dëshmojnë Dëshmitari 5 dhe Dëshmitari 6”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, në një vizitë të Thaçit më 9 shtator 2023, i akuzuari thuhet se iu kishte dhënë informacione të hollësishme dhe konfidenciale për dëshmitarët e ZPS-së Bashkim Smakajt, Blerim Shalës dhe Artan Behramit. Sipas ZPS-së, Thaçi u kishte dhënë udhëzime vizitorëve të tij për t’i dhënë udhëzime Dëshmitarit 2 për mënyrën se si të dëshmonte.

Sipas ZPS-së, Thaçi e konsideronte dëshminë e Dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime të detajuara se çfarë duhet të thoshte ai gjatë dëshmisë së tij.

Megjithatë, sipas aktakuzës, Thaçi i kishte nxitur tre vizitorët e tij që të takoheshin përsëri me të. Takimi kishte ndodhur më 7 tetor 2023 ku u dhanë udhëzime të tjera nga Thaçi për Dëshmitarin 2 se si duhet të dëshmojë.

ZPS-ja thotë se gjatë një kontrolli më 30 tetor 2023 në makinën e Smakajt ata kishin gjetur dokumente që përmbanin përmbajtje të dëshmisë së pritur të Dëshmitarit 2 dhe një narrativë në përputhje me udhëzimet e dhëna nga Thaçi gjatë vizitave të 9 shtatorit dhe 7 tetorit 2023.

ZPS-ja thotë se më 6 tetor 2023, Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu e vizituan Thaçin dhe se ky takim ishte planifikuar një muaj më parë gjatë një telefonate në Qendrën e Paraburgimit në mes Kilajt dhe Thaçit.

Aty thuhet se gjatë kësaj vizite, Thaçi dha informacione konfidenciale për dëshmitarin Isni Kilajt dhe Vllanim Kryeziut. Sipas tyre, Thaçi dha udhëzime për t’ia përcjellë Dëshmitarit 4 për mënyrën se si duhet të dëshmonte. Si pjesë e këtyre udhëzimeve, ZPS-ja thotë se Thaçi ofroi pjesë të deklaratave të mëparshme të këtij dëshmitari dhe u diskutuan dëshmitë konfidenciale të Dëshmitarit 3 për ZPS-në.

Ndërsa, gjatë kontrollit në shtëpinë e Kilajt më 2 nëntor 2023, ZPS-ja kishte gjetur materiale që përmbanin informacione konfidenciale dhe identifikuese për dëshmitarët e mbrojtur, duke përfshirë edhe emrat e tyre.

“Konkretisht, ZPS-ja gjeti në plehrat e KILAJ faqe të shqyera të deklaratave të mëparshme të Dëshmitarit 4, përfshirë një pjesë që Hashim THAÇI e kishte referuar gjatë vizitës së 6 tetorit 2023. ZPS-ja gjithashtu gjeti faqe shënimesh që përmbanin, ndër të tjera, përmbledhje të dëshmive të pritshme të dëshmitarëve aktualë dhe të mëparshëm të ZPS-së, së bashku me kodet e tyre të dëshmitarëve. Shënimet e gjetura në rezidencën e KILAJ përmbanin informacione që përputheshin me përmbledhjet konfidenciale të dhëna për THAÇIN në çështjen Thaçi dhe të tjerët”, thuhet në aktakuzën e ZPS-së.

Si rrjedhojë, ZPS-ja thotë se individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera