Lajme

“I paaftë”, “Hajn”, – Tahiri e Gashi “gozhdojnë” Rrustemin e VV-së pas kritikave

Autori: Gazeta inFokus 14:16 | 02 December 2024

Pas kritikave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ndaj funksionimit të Kushtetueses, ka pasur debat mes deputetëve të partive opozitare.

Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë reaguar ndaj Rrustemit, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe përfshirje në skandale.

Rrustemi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, pati kritika të forta ndaj marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për shkeljet që, sipas tij, janë bërë nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

-Advertisement-

“Zotit Gashit po ia kujtoj 23 nenet e shkelura të Kushtetues me marrëveshjen për Zajedenicës të ish-kryeministrit Isa Mustafa. Nuk ka gjë më të keqe sesa të shkelesh kushtetutën në 25 nene me 5 faqe marrëveshje, për të akomoduar synimet politike dhe Republikën Srpska në Kosovë”, ka thënë Rrustemi.

Rrustemi akuzoi Tahirin për përfshirje në afera korruptive dhe se po i frikësohet jetësimit të Byrosë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Ky (Abelard Tahiri) si një i pandehur potencial d.m.th. për byronë për verifikim dhe konfiskim po beson që meqë u vonua 17 muaj e tash jemi në fund të mandatit, i shpëton verifikimit dhe konfiskimit. Por nuk i shpëton”, ka thënë deputeti i VV-së.

Tahiri u përgjigj, duke thënë se Rrustemi është i paaftë.

“Zakonisht hajni të thotë hajn. Kqyre hajni. Pikërisht është personi në fjal, i cili me njerëzit e tjerë i kemi nxëne duke i prek rezervat shtetërore. Duke vjedh edhe në miell, grurë e vaj tash del thotë hajn. Pikërisht është personi të cilët i kemi nxënë duke vjedh në kontrata njëburimore, që flet në emër të tyre… Adnan 10 ligje i kam rrëzuar në Kushtetuese edhe 4 pres më t’i rrëzuar sepse je i paaftë. Je përfaqësuese i denjë i këtyre hajnave të cilët vjedhin në subvencione”, ka thënë deputeti i PDK-së.Edhe Gashi gjithashtu reagoi ndaj Rrustemit, duke thënë se deputeti i VV-së nuk ka asnjë kredibilitet në çështjet kushtetuese dhe se nuk duhet marrë seriozisht.

“Ma përmendi emrin për çështje Kushtetuese. Sa për publikun Adnani është kryetar i komisionit të ligjeve. Nuk është jurist hiç. Nuk e din as çfarë vendimi ka nxjerrë Gjykata Kushtetuese për marrëveshjen e parimeve. Dhe flet për gjëra që nuk i din. Ky njeri di kurrgjë. Kështu që nuk duhet me marrë seriozisht”, ka thënë Gashi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Ku mos mu HUTU me BLACK FRIDAY Artmotion
-Advertisement-

Të tjera