Lajme

Aksidenti ku humbi jetën 22 vjeçarja në Kaçanik, Policia jep detaje: Ka rënë poshtë rrugës 32 metra, në ‘shtratin’ e hekurudhës

Autori: Gazeta inFokus 13:12 | 29 November 2024

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin me fatalitet që ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në magjistralen Hani i Elezit – Kaçanik, ku një veturë ra në humnerë, shkruan Gazeta Infokus.

Në njoftimin e policisë thuhet se rreth orës 07:30 kanë pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Hani Elezit-Kaçanik, tek vendi i quajtur “Kulla me qeshme” ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, ku është përfshirë një veturë.

Veturën ishte duke e vozitur një vajzë e cila ka ndërruar jetë pasi nuk i mbijetoi plagëve.

-Advertisement-

“Ekipe të policisë së rendit të stacionit të Kaçanikut, zjarrfikësit dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Njësia e Hetimeve të Aksidenteve të Njësisë së Komunikacionit Rrugor të Ferizajt, të cilët pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes kanë mësuar se një veturë Nissan, derisa ka qarkulluar në rrugën magjistrale nga drejtimi i Hanit të Elezit në drejtim të Kaçanikut, me të arritur tek vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, shoferja L.K ( F/K) e moshës 22 vjeçare, dyshohet se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, kushteve të rrugës dhe kthesë në të djathtë, ka humbur kontrollin mbi automjet dhe kalon në anën e majtë të rrugës, godet barrierat e rrugës dhe bie poshtë rrugës 32 m, në shtratin e hekurudhës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Vdekja e  L.K është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjekët e Shtëpisë së Shëndetit të Kaçanikut.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe me vendim të tij, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura tjera hetimore.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera