Një vit nga vrạsja e Liridona Ademajt
Autori: Gazeta inFokus 09:14 | 29 November 2024
Sot janë bërë një vit nga vrasja e Liridona Ademajt. Aktakuzë për rastin nuk është ngritur ende. Tre të dyshuarit, përfshirë edhe bashkëshortin e të Liridonës, vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2023, në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, u vra Liridona Ademaj. Përvjetori i parë i vrasjes shënohet pa aktakuzë për këtë rast. Hetimet nuk kanë përfunduar akoma.
Atë natë, 30-vjeçarja ndodhej në veturë me fëmijët dhe bashkëshortin, Naim Murseli, i cili dyshohet se porositi vrasjen. Ajo u qëllua me plumb në qafë, në prani të fëmijëve të saj.
Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.
Ata ishin arrestuar ditën kur ishte varrosur Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit
Më 24 tetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar atyre paraburgimin edhe për dy muaj.
“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.
Në një njoftim që kishte lëshuar Gjykata për caktimin e paraburgimit, kishte dhënë një përshkrim për dyshimet si ishte kryer vrasja.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, është dyshimi se si ka ndodhur rasti.
Hetimet në drejtim të disa pistave
Motivi i këtij rasti asnjëherë nuk është bërë i ditur. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ishte deklaruar një herë për këtë rast dhe kishte thënë se po hetohen disa pista.
“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasjeje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, ka thënë Hoxha në Frontal të T7.
I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha kishte thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.
“Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka thënë tutje ai.
Rasti i vrasjes së Liridonës ishte tentuar të fshehej në ditët e para. Rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.
Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.
“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Ndërkohë, babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, kishte dhënë një version, ku sipas tij, Liridona kishte në çantë 3 mijë euro dhe se kishte rezistuar t’i dorëzonte.
“Sipas çdo informacioni që kam, këta ishin duke u vendosur në shtëpi të re. Liridona kishte pasur një shumë të konsiderueshme në çantë dhe ka bërë rezistencë. Kanë pasur diku te 3 mijë euro. Naimi ishte duke ngarë makinën. Ata i kanë dalë me armë para makinës. Kur ju kanë dalë me armë, Naimi e ka kuptuar se do të vriten të gjithë dhe ka ikur nga makina. Flitet dhe një variant tjetër ku ka hapur derën e fëmijëve dhe i ka thënë bashkëshortes; ik, por ajo ka bërë rezistencë. Por mund të jetë ngatërruar me rripin e sigurimit pasi ishte stresi.”, kishte deklaruar ai për media.
Më 9 dhjetor të vitit të kaluar është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit. I njëjti është liruar nga paraburgimi në prill të këtij viti.
Të tjera
-
Krasniqi për sulmin ndaj Komunës së Zveçanit: Sulmin kriminal e qyqar
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka dënuar sulmin...
-
Meta uron 80-vjetorin e Çlirimit: Mirënjohja dhe respekti shkojnë për të gjithë martirët e luftës për liri
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar 80-vjetorin e Çlirimit t...
-
IAPK-ja shpreh shqetësim ndaj rastit të dhunimit të një të dënuari në burgun e Dubravës
Instituti për Avokimin e Politikave Korrektuese ka shprehur shqetësim ndaj ra...
-
Ligji i Gjuhës në Maqedoninë e Veriut, Mexhiti: S’bëhet fjalë për shfuqizim
Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka folur për lig...
-
PDK dënon sulmin në Zveçan: Përpjekje e qartë për të frikësuar kryetarin Peci
Partia Demokratike e Kosovës ka dënuar hedhjen e granatës së dorës në ndërtes...
-
Rast i tmerrshëm në Pejë: Djali e rrah dhe tenton ta djẹgë nënën, kërkon para nga babai për ta vrạrë
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin t...
-
Xhelal Sveçla akuzon Beogradin për sulmin ndaj komunës së Zveçanit
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas sulmit me granat...
-
Policia me apel për kujdes në trafik pas reshjeve të fundit
Policia e Kosovës i ka bërë apel të gjithë pjesëmarrëve në trafik që të kenë ...
-
Aksidenti ku humbi jetën 22 vjeçarja në Kaçanik, Policia jep detaje: Ka rënë poshtë rrugës 32 metra, në ‘shtratin’ e hekurudhës
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për aksidentin me fatalitet që ka ndodhur s...
-
Aksidenti me fatalitet, kjo është 22 vjeçarja që humbi jetën
Një vetaksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrug...
-
PDK dënon ashpër aktin kriminal të hedhjes së granatës në ndërtesën komunale në Zveçan
Partia Demokratike e Kosovës dënon ashpër aktin kriminal të hedhjes së një gr...
-
Vrạsja e të riut nga Peja në SHBA, reagon motra e viktimës: Pajtimin e vrạu gruaja e tij
Pajtim Krasniqi nga Peja është gjetur i vdekur mbrëmjen e 27 nëntorit, bashkë...