Lajme

Kritika e Besnik Tahirit: Deputetëve iu dhanë 41 orë për me e trajtu një document 738 faqësh

Autori: Gazeta inFokus 12:10 | 23 November 2024

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Besnik Tahiri, e ka cilësuar si “superskandaloze” seancën parlamentare të së enjtes, ku u miratua në lexim të dytë Ligji mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, në vlerë prej 3 miliardë e 608 milionë euro.

Tahiri ka thënë se për ta trajtuar këtë dokument 738 faqe e që është një nga aktet më të rëndësisme legjislative, deputetët dhe organizatat buxhetore kanë pasur vetëm 41 orë kohë për trajtim.

“Pra, refuzimi dhe ngulfatja e debatit për miratimin e tij përmes një procedure antidemokratike të kufizuar në më pak se 2 ditë, nxjerr në pah të paktën tri probleme të mëdha të këtij modeli të dështuar qeverisës të Kurtit dhe LVV-së”, ka shkruar Tahiri.

-Advertisement-

Problemi kryesor sipas tij lidhet me rritjen e pagave, saktëssht rritjen e koeficientit për njësi.

Ndryshimi i koeficientit, Tahiri ka thënë se mund të bëhet vetëm me plotësim-ndryshim të Ligjit për Pagat në sektorin publik, e jo përmes Ligjit për Buxhetin.

“Problemi i parë lidhet me injorancën dhe jokompetencën. Më konkretisht, Ligji për Buxhetin, si një ligj i përgjithshëm, dhe Ligji i Pagave, si një ligj i veçantë dhe organik, kanë raporte specifike mes tyre. Ndryshimet në një ligj të veçantë nuk mund të bëhen përmes një akti tjetër ligjor. Thënë ndryshe, ndryshimi i strukturës së koeficientëve nuk mund të bëhet me asnjë akt tjetër përveçse përmes një procesi të posaçëm të plotësim-ndryshimit që kërkon procedurë të veçantë”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka kritikuar edhe mungesën e transparancës dhe debatit për klëtë ligj.

“ Problemi i dytë lidhet me mungesën e transparencës dhe debatit. Si mund të trajtohet një ligj i tillë pa i dhënë publikut dhe taksapaguesve mundësinë për të kuptuar se si planifikohen të shpenzohen kontributet e tyre? A do të përdoren ato për paga, shërbime, projekte, zhvillim njerëzor, modernizim apo ndonjë fushë tjetër? Kjo qeveri, ky kryeministër dhe këta ministra trajtojnë paranë publike me të njëjtën qasje dhe logjikë sikur një kompani që vendos për financat e saj në një takim të bordit të aksionarëve. Madje, sot, kompanitë e etabluara nuk marrin vendime pa përfillur shqetësimet dhe kërkesat e palëve me interes”, ka shkruar tutje Tahiri.

Dhe në fund ka thënë se kjo qeveri ka dështuar të gjenerojë rritje ekonomike dhe zhvillim.

“Për më tepër, përballë skandaleve me korrupsion dhe keqpërdorime, qeveria kërkon që aty ku flitet për financa publike, të shuajë çdo zë kritik dhe të ndryshëm. Kjo është tirania e një modeli të delegjitimuar, i cili nuk ka asgjë tjetër për të ofruar përveç mjerimit social, ekonomik dhe politik”, ka shkruar Tahiri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hapet shkolla e mesme profesionale në Qytetin e Ferizajit
-Advertisement-

Të tjera