Lajme

Seanca e jashtëzakonshme për faljen e ambalazhuesve të ujit, PDK-ja propozon anulimin e vendimeve për shlyerjen e borxheve

Autori: Gazeta inFokus 17:03 | 15 October 2024

Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen nesër në një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të diskutohet për “faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit” dhe për “përgjimet në sektorin e energjisë elektrike”.

PDK ka propozuar që në këtë seancë të miratohet edhe një rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohet nga Prokurori i Shtetit si organ kushtetues i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale, që të iniciojë hetime penale në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndaj personave zyrtarë dhe jo zyrtarë lidhur me procesin e përllogaritjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në raport me kompanitë përkatëse të cilat i kanë pasur si detyrime ndaj këtij institucioni.

“Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që Brenda 15 ditë nga miratimi i kësaj rezolute të marrë vendim për anulimin e të gjitha vendimeve për shlyerjen e kundërligjshme të borxheve që i kanë pasur kompanitë që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.”, thuhet në draft-rezolutën e PDK-së.

-Advertisement-

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në një konferencë ka bërë të ditur se nesër (e mërkurë) do të mbahet seancë e jashtëzakonshme për dy çështje.

Tahiri ka thënë se PDK-ja dhe deputetët opozitarë kanë grumbulluar 40 nënshkrime për të diskutuar për “faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit” dhe për “përgjimet në sektorin e energjisë elektrike”.

“Nesër kemi ftuar seancën e radhës, seancë e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar edhe një komision hetimor në të cilën nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Çështjen e borxheve të ambalazhuesve të ujit, kjo nuk është votuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Dëmi që është shkaktuar është 11 milionë euro. Çështje tjetër e rëndësishme është çështja e përgjimeve në sektorin e energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Në kërkesën drejtuar kryeparlamentarit, opozita ka propozuar rezolutë që kërkon që Prokuroria të nisë hetimet dhe që të anulohen vendimet për faljen e borxheve të ambalazhuesve.

Javën e shkuar në Ministrinë e Mjedisit u arrestuan dy zyrtarë. U raportua se bëhet fjalë për rast të faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit.

Ndërsa ditë më parë, portali “Nacionale” publikoi disa biseda të zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Për asnjërën nga çështjet, Lëvizja Vetëvendosje nuk është deklaruar.

Seanca të jashtëzakonshme ka pasur edhe të premten, për bisedat e shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, dhe të hënën për ushqimin në FSK.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Lansohet aplikacioni më i ri i lojalitetit që sjell t’mira pafund Kartela Plus!
-Advertisement-

Të tjera