“Golden Eagle” e Shaqir Palushit vjedhë ujin e Kosovës me ndihmë të Naser Hafizit
Autori: Gazeta inFokus 14:13 | 15 October 2024
Pas një vizite në terren te kompania “Frutex/Golden Eagle” në Suharekë dhe një takimi në ministri, zyrtarja e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës i kishte dërguar e-mail Naser Hafizit, me 9 nëntor 2022, se meqë kompania ka vepruar jashtë lejes ujore dhe e ka ndërruar burimin e ujit ilegalisht dhe pa njoftim sipas ligjit, atëherë duhet të formohet një komision për vizitë te kjo kompani.
Hafizi, përkundër se i njoftuar nga zyrtarja e vetë ministrisë për shkeljet e mëdha ligjore të kompanisë për (ndërrim burimi, rritje shpenzimi të ujit jashtëligjshëm dhe veprim jashtë lejes ujore) ishte shprehur kundërshtues me zyrtaren.
Ai kishte kthyer më pas një e-mail jashtë orarit të punës, në orën 8:59 minuta të mbrëmjes duke i kërkuar llogari zyrtares se me çfarë baze ligjore po dëshiron t’i dërgojë kësaj kompanie komision.
Hafizi në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Udhëheqësit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që aktualisht është në paraburgim për shlyerje ilegale të borxhit kompanive të ambalazhuesve të ujit në Kosovë, më vonë edhe e kishte detyruar zyrtaren që të lëshojë leje për këtë kompani në kundërshtim me ligjin.
Derisa përfundimisht zyrtarët që kishin konstatuar shkeljet e kompanisë “Frutex” i kishte dërguar në komision disiplinor.
Siç tregon e-maili i siguruar nga Albanian Post, zyrtarja e ministrisë i dërgon e-mail kompanisë Frutex dhe Hafizit ku thotë se “meqenëse ju keni vepruar jashtë lejes ujore dhe nuk na keni informuar për rritje të prodhimit (shpenzimit të ujit) si dhe ndërrim të burimit, ne: Jemi në pritje të formimit të një komisioni ku do të vizitojmë kompanitë për incizim të gjendjes faktike, pra do ta vizitojmë edhe ndërmarrjen tuaj”.
Në këtë e-mail, rreth pesë orë pas përfundimit të orarit të punës përgjigjet Naser Hafizi, i cili shkruan se kërkon “informatë më të detajuar” se kur është iniciuar komisioni dhe cila është “baza ligjore”.
Ai shkruante kështu, edhe pse e dinte se ligji e përcaktonte qartësisht me Nenin 72 për Leje Ujore, paragrafi 8 se “Bartësi i të drejtës ujore, detyrohet t’a informojë lëshuesin e lejës, në rast të ndryshimit në veprim, teknologji dhe shfrytëzim të ujit apo në raste tjera, kur mund të kenë ndikim të rëndësishëm në regjimin ujor”.
Përkundër kësaj dhe përkundër se Hafizi e kishte parë raportin nga terreni ku zyrtarët konstatonin se kanë gjetur burim të pa lajmëruar të kësaj kompanie, i cili ishte hapur ilegalisht rreth një kilometër larg fabrikës ku prodhoheshin pijet, atij aq i bën.
Në të njëjtën ditë dhe përafërsisht në të njëjtën orë, Hafizi dërgon edhe një e-mail tjetër ku tash pyet kompaninë Frutex se çfarë ka ndodhur në takimin që kishin pasur zyrtarët e ministrisë me përfaqësuesit e kompanisë “Frutex”.
Duke mos ju besuar zyrtarëve të tij, ai kërkon ta di versionin nga operatori, madje duke e quajtur atë si versioni “i vërtetë”.
“Në bazë të e-mailit nga zyrtarja përgjegjëse duket se nuk ka shkuar më së miri takimi juaj sot. Në mungesë timen si udhëheqës do të më interesonte versioni i vërtetë i ecurisë së takimit”, shkruan Hafizi.
Por, Hafizi nuk e lë me kaq, vetëm dy ditë më vonë, ai i dërgon në komision disiplinor zyrtarët që i kishin gjetur shkeljet e kompanisë “Frutex” dhe pamundëson formimin e komisionit që do ta vizitonte kompaninë për inspektim të detajuar.
Nga dokumenti që ka siguruar Albanian Post, Hafizi formon komision disiplinor duke thënë se zyrtaret në fjalë duhet të dënohen për “mos përmbushje të detyrës së punës”, “mos-respektim i afateve të caktuara në përmbushjen e detyrave, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda” dhe “shkelje e përsëritur e rregullave të kodit të etikës në shërbimin civil”.
Derisa zyrtaren tjetër Hafizi e akuzon edhe për gjëra të tjera.
Përfundimisht, dy zyrtaret ia kishin fituar rastin Hafizit, meqë i njëjti s’kishte prova për pretendimet e tij.
Më vonë, nga dosja e Prokurorisë Speciale, pas arrestimit të Hafizit dhe dërgimit në paraburgim, do të kuptohej se Hafizi kishte bërë presion ndaj Zyrtares së Lartë për të Drejtën Ujore duke ushtruar ndikim që “me çdo kusht të lëshohet apo vazhdohet leja”, për kompaninë Frutex, por edhe për kompani të tjera si Fluidi e Frutti.
Albanian Post ka siguruar edhe një raport të ministrisë për vizitë në kompaninë Frutex.
Aty, pos tjerash thuhet se gjatë vizitës “pala nuk kishte prezantuar raportin me orëmatës”, që është obligim ligjor.
Në këtë vizitë, siç dëshmon raporti, ishte gjetur një rezervar i ujit “i ndërtuar në kodër afërsisht 1 kilometër, fare afër rezervarit për furnizim me ujë publik”.
Zyrtarët konstatojnë, ndryshe sa ishte pretendimi i përfaqësuesve të kompanisë se, “pusi kishte dy pompa dhe se fabrika e prodhimit dhe ambalazhimit të pijeve po u furnizoka nga ky pus”.
Më pas, raporti flet edhe për një situatë krejtësisht të çuditshme, kur zyrtarët e ministri kishin kërkuar që “edhe njëherë të vizitohet Pusi në kuadër të fabrikës por përfaqësuesit e ‘Frutex’-it nuk e gjenin”.
Në fund të raportit thuhet se “Pala duhet sjellur planin e situacionit me të gjitha burimet dhe infrastrukturën ujore që është duke e shfrytëzuar, duke specifikuar shfrytëzimin për destinimet e caktuara, të kërkohen lejet e shfrytëzimit sipas procedurave për leje ujore sipas specifikave dhe të vendos –instalon, njehsorët sipas së cilëve duhet raportuar shfrytëzimi i ujit për lejen ujore përkatëse, përndryshe pala do te ngarkohet sipas dokumentacionit Tekniko-Investiv”.
Albanian Post kishte filluar raportimin rreth shkeljeve ligjore në rastin e shlyerjes së borxheve për ambalazhuesit e ujit në prill të këtij viti.
Aty ishte zbërthyer një pjesë e skemës, ku Naser Hafizi kishte prodhuar procedura jo ligjore për të shlyerjen e borxheve milionëshe me shifra simbolike.
Ai më pas u arrestua me 10 tetor dhe iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Hafizi ngarkohet me veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “shpëlarje e parave” si dhe “mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave dhe i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”.
Nga hetimi i Prokurorisë, deri më tani ka rezultuar se Hafizi vetëm në 11 muajt e fundit ka blerë 4 banesa dhe patundshmëri të tjera, derisa vetëm në muajin shkurt të këtij viti ka qarkulluar 395 mijë euro në xhirollogarinë e tij dhe në periudha të ndryshme ka deponuar 109 mijë euro përmes bankomatit, derisa pagën mujore e ka vetëm 732 euro.
Për këtë rast, përveç Naser Hafizit, është arrestuar edhe sekretari i Ministrisë, Izedin Bytyqi.
Të tjera
-
Sụlmi në Ibër-Lepenc, Ramadani: Hera e parë që FBI ndihmon Kosovën në rastet ku dyshohet se ka gisht Serbia
Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ra...
-
Një muaj paraburgim të dyshuarit për tentim vrạsjen në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit pre tridhjet...
-
“7 muaj i ngujuar brenda, vështirë të gjykosh drejtë” – Vokrri thotë se nënkryetarja serbe që u zu duke konsumuar drogë e “manipuloi emocionalisht” Lulzim Hetemin
Nëntë ditë në izolim në objektin e komunës së Leposaviqit, kryetari Lulzim He...
-
Kasanof: Sụlmet si ai në “Ibër-Lepenc” janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet
Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexan...
-
Procesohet subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit nëntor
Është procesuar subvencionimi i energjisë elektrike për faturat e muajit ...
-
Komuna e Prishtinës merr masa përpara festave
Komuna e Prishtinës ka bërë thirrje për kujdes në prag të festave të fundviti...
-
Rama: Kosova duhet ta ngrijë normalizimin me Serbinë, për të bërë hap gjigand drejt BE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë sot në Facebook një pjesë ...
-
Vdẹs një fëmijë njëvjeçar në QKUK
Një fëmijë njëvjeçar ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. ...
-
Scholz pas sulmit në Magdeburg: Të hetohet tërësisht se çfarë ka ndodhur, shqetësohem për gjendjen e të lënduarve
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka folur gjatë vizitës së vendit të ngjarjes –...
-
“Mos fëlliq në emër të babës, Donikë” – Avni Arifi i reagon ashpër Donika Gërvallës
Ish-kryenegociatori Avni Arifi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministre...
-
Regjistrohen mbi 51 mijë votues nga jashtë Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit
51 mijë e 440 votues nga jashtë Kosovës janë regjistruar për të marrë pjesë n...
-
Presidentja Osmani nderohet me Çmimin “Grand Excellence 2024”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me çmimin “Grand Excellenc...