Lajme

Pas Mynihut, Kurti e Gërvalla priten ngrohtësisht nga bashkatdhetarët në Stuttgart

Autori: Gazeta inFokus 13:52 | 13 October 2024

Pas Mynihut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u mirëpritën dje nga bashkatdhetarë të shumtë edhe në qytetin e Shtugartit.

Aty bashkë zhvilluan një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në vend, zhvillimit të vendit dhe rolin historik të mërgatës si dhe të kontributit që vazhdon.

Kryeministri veçoi rolin e rëndësishëm që mërgata kosovare në Gjermani ka edhe sot në raportet që Kosova ka me Gjermaninë si dy shtete, dhe shqiptarët me gjermanët si dy popuj.

-Advertisement-

“Nuk harrojmë asnjëherë ta themi sepse e kuptojmë në shkallën e duhur që mërgata jonë është përbërësi i fuqishëm historik, ekonomik, politik dhe diplomatik i Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar mban…prandaj themi me plot zemër se ju jeni zemra e përpjekjeve tona për liri dhe përparim”, u shpreh Kurti.

“Për shkak të historisë së saj komplekse, dhe dashurisë dhe përkushtimit ndaj vendit mërgata jonë e ka kuptuar shumë mirë dhe mësuar një herë e mirë se në të tashmen i shërbehet atdheut, kurse atdheu të shërben në të ardhmen”.

“Mërgimi i rëndë që na karakterizonte fort në të kaluarën, tash ka rezultuar me mërgatën që është e ardhmja. E ardhmja e kthimit në atdhe, në Kosovën që po përparon nga kontributi i dikurshëm e i vazhdueshëm i juaji i cili ju bën juve thelb të së ardhmes sonë”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkaq Gërvalla, duke e cilësuar Shtugartin si kryeqytet të mërgatës shqiptare, tha se nga ky qytet u organizuan shumica e aksioneve në ndihmë të Kosovës, nga aty u nisën veprat më të mëdha në solidaritet me qytetarët e Kosovës në kohë të zymta, dhe po nga ky qytet Sali Çekaj u nisë me djemtë dhe vajzat e tij për të mbrojtuar me gjakun e tij Republikën e Kosovës.

Ajo falënderoi bashkatdhetarët për rolin e tyre vendimtar e të vazhdueshëm në fuqizimin e shtetit të Kosovës dhe për mbështetjen e tyre, teksa u bëri thirrje që të regjistrohen sa më parë në mënyrë që të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e ardhshme parlametare të shkurtit 2025.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera