Fokus

Vikendi i zi: Pesë të rinj humbën jetën tragjikisht, rrahje, sulme e aksidente me të lënduar

Autori: Gazeta inFokus 10:31 | 07 October 2024

Vikendi i javës së parë të tetorit ishte tragjik për Kosovën.

Vetëm për dy ditë, 5 persona humbën jetën, disa të tjerë u përfshinë në rrahje, pati aksidente me të lënduar e edhe sulme fizike.

Rasti më tragjik ishte ai i vdekjes së tre të rinjve si pasojë e një aksidenti në rrugën Prishtinë – Gjilan, konkretisht vetaksident sipas policisë për shkak të mos përshtatjes së shpejtësisë.

-Advertisement-

Vetura e të rinjëve ra në liqenin e Badovcit dhe sipas raportimeve dy prej të rinjve u gjetën të vdekur në liqenin e Badovcit ndërsa njëri kishte mbetur i ngujuar në veturë.

“Është raportuar se në rrugën magjistrale  Gjilan – Prishtinë te liqeni i Badovcit, një veturë me targa vendore në lëvizje dyshohet se ka shkaktuar vet aksident dhe si pasojë e lëndimeve tre persona – viktimat, drejtuesi i veturës dhe dy pasagjerë meshkuj kosovarë kanë ndërruar jetë, vdekjen e të cilëve e ka konstatuar mjeku. Njësitë relevante policore, prokurori, njësitë emergjente dhe të kërkim-shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe  me urdhër të prokurorit trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion”, deklaroi policia.

Po ashtu një 22 vjeçar të dielën humbi jetën si pasojë e goditjes nga energjia elektrike në shtëpinë e tij.

Sipas policisë rasti ndodhi në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë.

“Njësitë policore menjëherë kanë shkuar në atë lokacion mirëpo viktima në ndërkohë ishte dërguar nga familjarët në Emergjencën e ShSKUK në Prishtinë për trajtim mjekësor. Rreth orës 11:23, policia ishte njoftuar nga Emergjenca se viktima kishte humbur jetën. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore dhe eksperti i rrymës. Janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore dhe është kontaktuar prokurori kujdestar. Rasti është inicuar: Vdekje e dyshuar ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, deklaruan nga policia e Kosovës, në lidhje me rastin e rëndë.

Ndërsa të dielën rreth orës 12:00 një person është gjetur i vdekur në vendin e tij të punës në Gjakovë, derisa policia është duke hetuar shkaqet e vdekjes.

“Është raportuar se  viktima mashkull kosovar ishte gjetur pa shenja jete në vendin e tij të punës. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësorë në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e policisë.

 

Një aksident tjetër ndodhi gjithashtu të dielën në autostradën “Ibrahim Rugova” në mes të një veture dhe një minbusi ku mbetën të lënduar disa persona.

Sipas policisë të gjithë të lënduarit ishin shtetas të huaj. Aksidenti ndodhi mëngjesin e së dielës diku rreth orës 07:00.

“Një veturë me targa vendore të cilin e drejtonte një mashkull kosovar, dhe një automjet për transportin e udhëtarëve (minibus) me targa të huaja të cilin e drejtonte një mashkull shtetas i huaj janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti. Si pasoj e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar disa persona të gjithë shtetas të huaj, të cilët pas tretmanit mjekësor janë liruar”, thuhej në raportin e policisë.

Ndërsa të shtunën 5 persona u përfshinë në një rrahje derisa njëri nga të dyshuarit është dërguar në neuropsikiatri për tretman mjekësor.

“Janë arrestuar pesë (5) të dyshuar kosovar nën dyshimin se për motive të panjohura janë rrahur në mes veti. Me vendim të prokurorit, njëri nga të dyshuarit është dërguar në QKUK në repartin e neuropsikiatrisë për tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit tjerë pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimin e PK’së.

Një rast tjetër ndodhi në Mitrovicë ku pasmesnate një burrë ka sulmuar fizikisht një person i cili ka marrë lëndime të lehta trupore.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se një i dyshuar mashkull kosovar e kishte sulmuar fizikisht. Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretman mjekësorë. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftim.

Ndërsa dita e hënë nisi me një aksion të policisë së Kosovës në ndërmarrjen “Pallati i Rinisë”.

Njësitet speciale të Policisë zbarkuan pas një urdhri nga Prokuroria Speciale e Kosovës dhe por aportohet se një person është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera