Lajme

Nxënësja që u largua nga shkolla shkaku i shamisë kishte njoftuar drejtorinë që do të mbulohet, publikohet letra e saj

Autori: Gazeta inFokus 13:42 | 23 September 2024

Nxënësja e klasës së 11 e cila u largua nga gjimnazi ‘Bedri Pejani’ në Pejë shkaku i vendosjes së mbulesës fetare, i kishte njoftuar paraprakisht drejtorinë, mësimdhënësit dhe gjithë stafin e shkollës për vendimin që kishte marrë lidhur me bartjen e shamisë.

Në letrën e publikuar nga mediumi lokal Peja në fokus, nxënësja A.D. u kishte kërkuar atyre që ta respektojnë vendimin e saj dhe të lejohet që ta vazhdojë procesin mësimor në mënyrë të rregullt.

“Me të drejtën që më jepet mua si një nxënëse e kësaj shkolle, unë kërkoj që ju ta pranoni dhe ta respektoni vendimin tim dhe që unë të vazhdoj procesin mësimor në mënyrë të rregullt si çdo nxënës tjetër. Po ashtu dua ta theksoj se këtë vit të fundit shkollor do t’ia vazhdoj me përpikshmëri në sjellje dhe mësime”, kishte shkruar nxënësja në letrën e saj.Ajo ka insistuar që veshja e uniformës fetare është e mbrojtur ligjërisht dhe sipas saj, në rast se i mohohet shkollimi për shkak të kësaj, do të ndërmerr veprime ligjore.

-Advertisement-

“Mënyra e veshjes është zgjedhje e lirë e secilit. Mënyra e veshjes mbrohet edhe me lirinë e shprehjes. Unë këtë vir mbush 18-vjeç dhe do të jem e vetëdijshme për vendimin që do marrë. Nuk dua të tingulloj arrogante apo kërcënuese por në rast që vendimi im mohohet dhe nuk respektohet nga ju atëherë vazhdojmë në mënyrë ligjore”, thuhet më tej në letrën e A.D., teksa bën thirrje që të mos diskriminohet.

Ndryshe, imami Labinot Maliqi ka njoftuar për largimin e nxënëses nga shkolla qysh në ditën e parë të vitit të ri shkollor.

Maliqi ka bërë kërkesë për shfuqizimin e udhëzimit që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

Derisa u paraqit para objektit të MASHTI-t, ai ka kërkuar nga e para e këtij dikasteri qeveritar, Arbërie Nagavci, shfuqizimin e këtij udhëzimi.

“Nxënësja 18-vjeçare A.D u largua me urdhër të drejtorit Musa Nikqi në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor. Parimi kryesor i cdo feje është arsimi. Shumë besimtar kanë kontribuar në arsimimin e gjeneratave të reja dhe nuk ka asnjë problem që hoxhollarët nuk mund ta zgjedhin. I bëjë thirrje ministres Nagavci që të shfuqizojë këtë udhëzim, në mënyrë që askush mos të ndihet i thyer. Nagavci të bëjë të mundur kthimin në shkollë të kësaj vajze e cila është shembullore edhe në sjellje edhe në mësime”, ka thënë mes tjerash ai.

Ndryshe, që nga viti 2010, Maliqi thotë se personalisht është marrë me 50 raste të nxënësve që kishin probleme me vijimin e shkollës për shkak të bartjes së shamisë.

Maliqi: Mbulesa nuk përbën kërcënim për askënd që t’i mohohet e drejta për arsim

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Keiretsu Forum Southeast Europe dhe BKT Kosova, një bashkëpunim i guximshëm për herë të parë në llojin e tij, në…
-Advertisement-

Të tjera