Lajme

Osmani: Vuçiqi i ktheu strukturat ilegale paralele në Kosovë në banda mafioze

Autori: Gazeta inFokus 15:20 | 31 August 2024

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia nuk i ka zbatuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Madje ajo tha se nuk e ka zbatuar as atë që ajo e konsideron si më të rëndësishmen, për shpërbërjen e strukturave ilegale paralele në Kosovë.

Në vend që t’i shpërbënte ato struktura, presidentja Osmani në diskutimin në Forumin GLOBSEC 2024, tha se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq i ka forcuar ato duke i shndërruar në “banda mafioze”.

-Advertisement-

“Asnjë prej marrëveshjeve nuk është zbatuar, veçanërisht ajo e rëndësishmja e vitit 2013, e cila e obligon Serbinë që t’i shpërbëjë të gjitha strukturat e saj ilegale paralele nëpër Kosovë, në veçanti në veri. Ajo që ka ndodhur këto 10 vjet, është që në vend që t’i shpërbëjë ato struktura, Serbia vazhdimisht i ka forcuar ato deri në atë pikë sa që këto struktura ilegale janë kthyer në banda mafioze dhe janë kthyer po ashtu në rrezikun më të madh për komunitetin serb që jeton në veri të Kosovës”.

“Këto struktura ilegale janë grupe kriminale që paguhen, emërohen dhe mbështeten politikisht nga Serbia, dhe tani pasi që kryen një akt agresioni kundër Kosovës në shtator, u fshehën nga Serbia në Serbi në mënyrë që të mos përballen me drejtësinë për aktin e agresionit”, tha Osmani, duke iu referuar sulmit nga grupi i Millan Radoiçiqit në Banjskë 24 shtatorin e vitit të kaluar.

Ajo tha se ata dyshohen edhe për krime tjera, si “vrasja e politikanëve serbë, djegia e shtëpive dhe veturave të serbëve në veri, si kërcënimin e fëmijëve në kopshte… Pra, ata që po vuajnë më së shumti nga këto banda mafioze, të paguara dhe mbështetura nga Vuçiqi në Serbi, janë në të vërtetë serbët në Kosovë”.

Osmani tha se të gjitha këto kanë ndodhur në 10 vitet e fundit, ndërsa kritikoi BE-në që po i vë masa Kosovës, e jo Serbisë.

“Pavarësisht gjithë këtyre, qëlloni se cila është pala nën masa të BE-së? Është pala e cila është 100 për qind e harmonizuar me BE-në në çdo politikë vendimmarrëse të jashtme e të sigurisë, është palë që kurrë nuk blen armë nga Rusia, Kina apo Irani, është palë ku 90 për qind e popullit janë në favor të BE-së, është pala që asnjëherë nuk ka kryer akt agresioni kundër fqinjëve, që nuk destabilizon fqinjët, nuk organizon grusht-shtete kundër fqinjëve, që nuk përdor MIG29 rusë që të fluturojë mbi fqinjët e vetë. Kjo është pala që është nën masa – Kosova. Prandaj, tavolina është e rrëzuar”, potencoi presidentja Osmani në diskutimin në forumin GLOBSEC në Pragë.

Në fund, ajo foli edhe për

“Pika e fundit për dialogun: një marrëveshje u arrit në shkurt 2023, dhe aneksi më vonë në atë vit, e cila parasheh obligime si për Kosovën ashtu edhe Serbinë. Sipas BE-së dhe ShBA-së, dhe edhe unë pajtohem me këtë interpretim, është traktat ligjërisht i obligueshëm. Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë, e ka njoftuar po ashtu edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së se është traktat ligjërisht i obligueshëm. Por, për të gjithë ekspertët: çka ndodh nëse njëra palë formalisht tërhiqet nga një traktat? Pra, parimi themelor i ligjit ndërkombëtar, as pala tjetër nuk ka obligim për ta zbatuar”.

“Serbia është tërhequr formalisht nga kjo marrëveshje përmes letrave të dërguara nga ish-kryeministrja (Ana Bërnabiq, shën.red.) ndaj BE-së, përmes deklarimeve nga presidenti i vendit (Alleksandar Vuçiq, shën.red) dhe nga kryeministri aktual (Millosh Vuçeviq, shën.red.), që thonë: kjo nuk është marrëveshje ligjërisht obliguese, dhe nuk do ta zbatojmë. Tani, pavarësisht këtyre deklarimeve, shumica në BE thonë se Kosova duhet ta zbatojë njëanshëm këtë marrëveshje”.

“Besoj fuqishëm se jemi në një situatë ku duhet ta rikthejmë barazinë në tavolinë. Nëse palët trajtohen në mënyrë të barabartë, atëherë mund të kemi sukses dhe jemi shumë të bindur se me ndryshimet në BE, me një Përfaqësues të Lartë që po vjen, atëherë barazia po vjen në tavolinë”, potencoi presidentja Vjosa Osmani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera