Kurti tha se s’ka kurrfarë dëmtimi të raporteve, Hovenier e demanton: Përkushtim i hekurt ndaj popullit, sfida me Qeverinë
Autori: Gazeta inFokus 17:40 | 21 August 2024
Kryeministri Albin Kurti mohoi se ka dëmtim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas deklaratave të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier se janë sfiduar nga Qeveria e tij. Për më tepër, Kurti tha se është kryeministri që ka ndërtuar marrëdhënie “më të fuqishme se kurrë”. Komentet Kurti i bëri nga Çikago ku po qëndron me një ftesë të NDI për të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike. Demanti për këto deklarata iu bë në Prishtinë nga ambasadori amerikan të mërkurën.
Këmbëngulja e Qeverisë që hapja e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve të bëhet në këtë kohë e vuri sërish Kosovën përballë kundërshtive me aleatët e saj kryesorë. SHBA publikisht tha se është sfiduar nga Qeveria Kurti dhe se veprimet e saj ndikuan cilësinë e partneritetit mes dy vendeve.
Megjithatë, kryeministri Kurti dy ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës deklaroi se s’beson që ka “kurrfarë dëmtimi të marrëdhënieve” kur u pyet nëse është i shqetësuar për raportin e Kosovës me aleatin e saj kryesor.
Ai tha se ndryshon nga paraardhësit e tij, por se në të njëjtën kohë marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës me atë amerikane janë “më të fuqishme se kurrë”.
“Është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdhëniet që po ndërtoj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë më të fuqishme se kurrë”.
Kryeministri përmendi disa nga kontratat e marrëveshjes që janë lidhur me SHBA-në gjatë mandatit të tij.
“Ne kemi bërë kontratën më të madhe që është bërë ndonjëherë me Koorporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, 236 milionë dollarë, për bateritë për energjinë e ripërtëritshme, dhe përveç kësaj jemi duke blerë sistemet antitank Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse dëshirojmë që të forcojmë ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka bashkë-zbarkuar me ushtrinë amerikane në Kuvajt dhe në çdo aspekt, në tregti, në energji, në ekonomi, dhe pastaj bashkëpunimi jonë me USAID-in e solli vlerësimin e Kosovës me 2B minus, që është vlerësimi i parë nga Fitch Ratings, i një organizate ndërkombëtare për ekonominë tonë, në arenën ndërkombëtare ekonomike”.
Kurti nga Çikago tha se meqë dallimet janë për “taktika e strategji” dhe jo për “qëllime e parime”, SHBA-ja duhet të jetë krenare me arritjet e Kosovës.
“Bashkëpunimi me SHBA-të është zgjeruar dhe është thelluar, mospajtimet sporadike, kurrë për vlera parime e qëllime, po nganjëherë për strategji, taktika dhe operacione bëhen lajme të mëdha. Unë besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shumë arsye që të jenë krenare me arritjet e Kosovës, më shumë se asnjëherë më parë, e për zhvillimin e ndërtimin e së cilës, kanë kontribuar si askush tjetër”.
Gjithashtu, Kurti mohoi se po ndërmerr veprime të njëanshme e të pakoordinuara siç e potencuan në çdo reagim së fundi SHBA e BE për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
“Kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime dhe koordinim dhe jam optimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit dhe lirinë e lëvizjes në njërën anë, edhe paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër”, tha Kurti në këtë intervistë.
Për relacionet me qeverinë e Kosovës foli ndryshe Ambasadori Hovenier.
Ai në një konferencë të përbashkët me media që e mbajti sot me presidenten Vjosa Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes 34.5 milionë dollarëshe me USAID-in, i coi mesazhe kosovarëve për relacionet me Qeverinë. Tha se raportet me popullin e Kosovës janë më ndryshe se ato me qeverinë.
“Është e rëndësishme që ta sqaroj një çështje që disa na kanë thënë se është konfuze. Shumë prej jush keni parë raportime në media për disa dallime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me disa veprime dhe zgjedhje politike të Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti. Siç kam thënë në një intervistë javën e kaluar, ne po përballemi me disa sfida të caktuara me Qeverinë e tanishme të Kosovës dhe këto sfida kanë ndikuar absolutisht në cilësinë e partneritetit tonë”, tha Hovenier.
“Ashtu siç tha zëdhënësi këtë muaj: Qeveria amerikane shpreson që Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës”.
Ambasadori amerikan e theksoi se përkushtimi i vendit të tij ndaj popullit të Kosovës nuk nënkupton me doemos edhe ndaj Qeverisë Kurti.
“Por edhe disa fusha të bashkëpunimit me qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt si gjithmonë. Ngjarja e sotme dhe përmbyllja e një marrëveshje për të ofruar gati 34.5 milionë dollarë në fonde shtesë për zhvillim për popullin e Kosovës për të mbështetur rritjen e ekonomisë, qeverisjen e mirë dhe integrimin në BE, unë besoj se kjo qartë nënvizon këtë qëllim. Megjithatë, më duhet ta pranoj se ky përkushtim ndaj popullit të Kosovës nuk vlen domosdoshmërish për ndonjë qeveri të caktuar apo për veprimet dhe zgjedhjet politike të caktuara të ndonjë qeverie”.
Të tjera
-
Historia/ Pse zgjedhjet në SHBA janë gjithmonë ditën e martë dhe në nëntor
Deri në mesin e viteve 1800, datat e zgjedhjeve amerikane ndryshonin sipas sh...
-
Apeli vërteton aktgjykimin lirues për Sylejman Selimin dhe Jahir Demakun
Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të...
-
Buja: E kam marrë vesh më vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë me rad...
-
Tetë vite nga rasti i Astrit Deharit, Kurti: Jemi të gatshëm si Qeveri ta ndihmojmë Prokurorinë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm si Qeveri...
-
Osmani kryen mamografi në QKUK: Zbulimi i hershëm shpëton jetë
Presidentja Vjosa Osmani ka shpërndarë një fotografi pas kryerjes së mamograf...
-
Kur do të mësohet emri i presidentit të ri amerikan?
Votuesit amerikanë do të vendosin të martën për presidentin e tyre të ri. ...
-
Vdiq një foshnje në QKUK, Policia i interviston disa persona
Një foshnje e porsalindur ka vdekur të hënën në Qendrën Klinike Universitare ...
-
Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e një të dyshuari për ngacmim
Policia e Kosovës ka publikuar fotografinë e një personi të dyshuar për “Ngac...
-
Inteligjenca amerikane akuzon Rusinë dhe Iranin: Organizuan fushata dezinformuese
Zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe ata të sigurisë kanë akuzuar Rusinë dh...
-
Mbi 1 mijë e 900 gjoba trafiku shqiptohen gjatë 24 orëve të fundit
Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mijë e 937 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të ...
-
Ukraina pret me “ankth” rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA
Ndërsa Amerika shkon në zgjedhje, ushtria ukrainase, e cila është varur aq sh...
-
Dy femra rrạhen mes vete në Gjakovë
Janë arrestuar dy femra kosovare pasi që të njëjtat pas një mosmarrëveshje ja...