Lajme

Burimet ruse: Ukraina ka shkatërruar ose dëmtuar tre urat mbi lumin Seym të Rusisë

Autori: Gazeta inFokus 07:23 | 21 August 2024

Forcat ukrainase kanë shkatërruar ose dëmtuar tre urat mbi lumin Seym në pjesën perëndimore ruse, sipas burimeve të Moskës, ndërsa e marta shënoi javën e tretë të aksionit ushtarak ukrainas në territorin rus. Sulmi i Kievit në rajonin rus të Kursk-ut po ndryshon rrjedhën e luftës dhe po rrit moralin në mesin e popullit ukrainas të lodhur nga agresioni rus. Sidoqoftë, është e pamundur të parashikohet rezultati përfundimtar i sulmit të parë kundër Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pavarësisht suksesit të depërtimit të Kievit në territorin rus, trupat e Moskës janë pranë marrjes së kontrollit të qytetit të rëndësishëm Pokrovost në pjesën lindore të Ukrainës. Sulmet e Ukrainës ndaj tre urave mbi lumin Seym në Kursk mund të bllokojnë trupat ruse përtej lumit dhe futjen në territorin ukrainas. Situata po ashtu mund të ndikojë në përparimin e trupave ukrainase. Sulmi ka ndikuar në ngadalësimin e reagimit rus ndaj aksionit ukrainas në Kursk që filloi më 6 gusht.

Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, postoi gjatë fundjavës në median sociale dy video të goditjes së urave mbi lumin Seym. Fotot satelitore nga “Planet Labs PBC”, të analizuara të martën nga agjencia e lajmeve Associated Press konfirmuan se një urë në qytetin Glushkovo ishte shkatërruar.Një hetues ushtarak rus konfirmoi të hënën se Ukraina kishte “shkatërruar krejtësisht” një urë dhe dëmtuar dy të tjera në zonë. Shkalla e plotë e dëmit mbetet e paqartë. “Si rezultat i sulmeve me raketa dhe artileri kundër ndërtesave të banimit dhe infrastrukturës civile në fshatin Karyzh … u dëmtua një urë e tretë mbi lumin Seym” tha në një video përfaqësuesi i paidentifikuar i Komitetit Hetimor të Rusisë, të publikuar në kanalin Telegram të gazetarit të televizionit shtetëror rus, Vladimir Solovyov.

-Advertisement-

Që nga fillimi i sulmit ukrainas në rajonin e Kurskut, ushtria e Kievit ka marrë nën kontroll një territor rus prej 1250 kilometrash katrorë dhe 92 vendbanime, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, njoftoi se 17 persona kanë vdekur dhe 140 janë plagosur që nga fillimi sulmit ukrainas, duke cituar një burim të paidentifikuar të shërbimit mjekësor rus. Mes 75 personave të shtruar në spital, katër janë fëmijë.

Ministria e Situatave të Emergjencave e Rusisë tha të martën pasdite se më shumë se 500 njerëz ishin larguar nga zonat e rrezikshme në rajonin e Kurskut gjatë 24 orëve të fundit. Në total, më shumë se 122,000 njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i sulmit ukrainas, sipas Moskës. Në një shembull tjetër të zhvendosjes së luftës nga Ukraina në brendësi të tokës ruse, një zjarr masiv vazhdoj të digjet për të tretën ditë radhazi pasi një depo nafte u godit nga dronët ukrainas.

Sipas agjencive shtetërore ruse të lajmeve në operacionin për shuarjen e zjarrit u përfshinë 500 zjarrfikës dhe 41 prej tyre tashmë janë shtruar në spital me lëndime. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës mori përgjegjësinë të dielën për sulmin në depon e naftës, e cila përdoret për të furnizuar forcat ruse, duke e quajtur atë një veprim “për të minuar potencialin ushtarak dhe ekonomik të Federatës Ruse”.

Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi ukrainasit se po “përpiqen të destabilizojnë vendin tonë” dhe i krahasoi ata me terroristët. “Ne do të ndëshkojmë kriminelët. Nuk mund të ketë asnjë dyshim për këtë”, tha Presidenti Putin të martën. Ai ishte duke u takuar me nënat e fëmijëve të vrarë në sulmin e vitit 2004, në shkollën e Beslanit, nga militantët islamikë që la më shumë se 330 të vdekur. Sulmi i Ukrainës në territorin e Rusisë ka zbuluar dobësitë ruse sipas analistëve dhe zyrtarëve ukrainas.

“Tani kemi arritur një ndryshim ideologjik jashtëzakonisht të rëndësishëm: koncepti naiv i të ashtuquajturave “vija të kuqe” në lidhje me Rusinë që mbizotëronte në vlerësimet e luftës nga disa prej partnerëve tanë është shembur këto ditë diku afër Sudzhës”, tha presidenti ukrainas Zelenskyy, duke iu referuar një qyteti të pushtuar rus, që tani është nën kontrollin ukrainas.

Operacionet e Ukrainës në Rusi kanë ende shumë të panjohura, por imazhet satelitore ofrojnë disa të dhëna. Urat e përkohshme të përdorura nga ushtarakët kur urat formale shkatërrohen, mund të shihen gjatë ditëve të fundit në imazhet satelitore të ofruara nga ‘Planet Labs PBC’ në dy pozicione të ndryshme përgjatë lumit Seym. Urat e përkohshme me gjasë janë ndërtuar nga trupat ruse që përpiqeshin të furnizonin forcat që i janë kundërvënë avancimit ukrainas.

Një urë e tillë u shfaq përgjatë shtratit gjarpëror të lumit midis Glushkovos dhe fshatit Zvannoye të shtunën, por jo në imazhet e marra të hënën. Të hënën, tymi mund të shihej që ngrihej përgjatë brigjeve të lumit aty pranë, zakonisht shenjë e një sulmi. Ndërkohë përgjatë vijës së frontit në Ukrainën lindore, Rusia vazhdoi të godasë qytetin e Pokrovsk-ut, një nga bastionet kryesore mbrojtëse të Ukrainës dhe një qendër kryesore logjistike në rajonin e Donetskut. Kjo i detyroi forcat e Kievit të tërhiqen dhe civilët ukrainas të largohen nga shtëpitë e tyre. Kapja e tij do të komprometonte aftësitë mbrojtëse dhe rrugët e furnizimit të Ukrainës dhe do ta afronte Rusinë me qëllimin e saj për të kapur të gjithë rajonin e Donetsk-ut.

Beteja gjashtëmujore e Rusisë në të gjithë rajonin pas kapjes së Avdiivkas, i ka kushtuar rëndë të dyja palëve me shumë viktima në trupa dhe shkatërrim të forcave të blinduara. Rusia dëshiron të marrë nën kontroll të gjitha pjesët e Donetskut dhe Luhanskut fqinj, të cilat së bashku përbëjnë rajonin industrial të Donbasit./Voa/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
-Advertisement-

Të tjera