Lajme

Lia e Majmunëve, IKSHPK me disa këshilla për udhëtarët nga Kosova në vendet e Afrikës

Autori: Gazeta inFokus 10:45 | 17 August 2024

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) përmes një njoftimi publik ka dhënë disa këshilla për udhëtarët nga Kosova në vendet e Afrikës të prekura nga Mpox (e njohur si Lia e Majmunëve.

IKSHPK thotë se në vlerësimin e ri të rrezikut lidhur me Mpox (dikur e njohur si Lia e Majmunëve), Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka vlerësuar se ka shumë gjasa që në vendet e BE të ketë më shumë raste të importuara të mpox të shkaktuara nga virusi clade I, që qarkullon aktualisht në Afrikë dhe një rast i të cilit është regjistruar edhe në Suedi.

Megjithatë, gjasat e transmetimit të vazhdueshëm në Evropë, sipas ECDC janë shumë më të ulëta me kusht që rastet e importuara të diagnostikohen shpejt dhe të zbatohen masat e kontrollit.

-Advertisement-

“Ndonëse lidhjet e udhëtimit midis Kosovës dhe vendeve të Afrikës, të prekura nga Mpox, janë të rralla, duke u bazuar në rekomandimet që ECDC ka dhënë për shtetet e BE-së, IKSHPK jep këshilla udhëtimi për qytetarët nga Kosova, që për çfarëdo arsye u bie të udhëtojnë ose qëndrojnë në vendet afrikane të prekura nga Mpox”, thuhet në njoftim.

1. Informohuni për situatën rreth Mpox në shtetet e prekura nga infeksioni: OBSh dhe ECDC ofrojnë udhëzime të përditësuara për situatën epidemiologjike në shtetet e prekura.

2. Praktikoni higjienën e duarve gjatë udhëtimit dhe qëndrimit: Lani duart shpesh me ujë dhe sapun për të paktën 20 sekonda, ose përdorni dezinfektues duarsh me të paktën 60% alkool.

3. Shmangni kontaktet me kafshët dhe njerëzit e infektuar: Mos kontaktoni me kafshë të egra si majmunët, brejtësit, etj., ose njerëz që kanë simptoma të mpox, siç janë skuqja, ethet ose puçrrat në lëkurë.

4. Qëndroni larg materialeve të infektuara të përdorura nga njerëz të sëmurë: Si p.sh. veshjet, krevatet, peshqirët ose materialet e përdorura në mjediset e kujdesit shëndetësor).

5. Shmangni kontaktet seksuale, nëse Ju ose partneri juaj ka simptoma derisa të keni një rezultat negativ të testit.

6. Parandaloni infeksionin: Përdorni maska, veçanërisht në hapësira të mbyllura ose të mbushura me njerëz, dhe shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë me lëngjet trupore ose plagët e infektuara.

7. Vaksinimi: Nëse në vendin ku udhëtoni, vaksinimi është i mundur, vaksinohuni, pasi që disa vaksina të lisë mund të ofrojnë mbrojtje kundër mpox.

8. Kujdesuni për ushqimin dhe ujin: Pini vetëm ujë të ambalazhuar dhe hani ushqim të gatuar mirë për të reduktuar rrezikun e infeksioneve të tjera që mund të përkeqësojnë gjendjen tuaj shëndetësore.

9. Izolohuni në rast të simptomave: Nëse zhvilloni simptoma të ngjashme me ato të mpox (ethet, lodhje, dhimbje muskulore, skuqje…), izolohuni menjëherë dhe kërkoni ndihmë mjekësore.

10. Kontrolloni shëndetin tuaj pas udhëtimit: Pas kthimit, monitoroni shëndetin tuaj për 21 ditë. Nëse zhvilloni ndonjë simptomë, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore, informoni mjekun tuaj për historinë tuaj të udhëtimit dhe testohuni!

IKSHPK shton tutje se këto rekomandime synojnë të minimizojnë rrezikun e infektimit dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit tuaj gjatë udhëtimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera