Lajme

Temperaturat e larta, evidentohen gjashtë raste që kanë shkelur vendimin e MSH-së për kufizim të orarit

Autori: Gazeta inFokus 16:27 | 16 August 2024

Kryeinspektori i Inspektoratit Qendror të Punës, Hekuran Nikçi, ka thënë se të mërkurën dhe të enjten janë evidentuar gjashtë raste të shkeljes së vendimit për kufizim të orarit të punës, si pasojë e temperaturave të larta.

Sipas Nikçit, tri nga gjashtë rastet e evidentuara janë punëtorë duke punuar në kundërshtim me vendimin në sektorin e ndërtimtarisë, dy raste të shtatzënave dhe një rast i sëmundjes kronike.

“Ju njoftoj se vendimi i datës 13 Gusht i Ministrisë së Shëndetësisë për reduktimin e orarit të punës po gjen zbatim për faktin se përgjatë dy ditëve të kaluara, 14 dhe 15 Gusht, përgjatë kontrolleve për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit në fjalë, Inspektorati Qendror i Punës, ka evidentuar gjithsej vetëm 6 raste ku 3 raste janë evidentuar punëtorë duke punuar në kundërshtim me vendimin në sektorin e ndërtimtarisë, 2 raste të shtatzënave dhe 1 rast të sëmundjes kronike”, ka thënë ai për Klankosova.tv.

-Advertisement-

IQP-ja bënë thirrje tek të gjitha subjektet juridike që të bëjnë zbatimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndryshe, MSH-ja kishte njoftuar se vendimi për reduktim të orarit të punës është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.

Masat e vendosura nga MSH-ja:

Nga data 14.08.2024, deri më 17.08.2024 kufizohet orari i punës;

1.1 Gjatë kësaj periudhe të nxehtësisë ekstreme, rekomandohet që të ndryshohen oraret e punës për të shmangur punën në orët më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 16:00;

1.2 Të aplikohet orari fleksibël i punës, që nënkupton lejimin e punëtorëve që të fillojnë punën më herët në mëngjes ose të punojnë nga shtëpia nëse ka mundësi;

1.3 Shtatzënat të lirohen nga puna gjatë orëve të pikut të nxehtësisë 11:00 — 16:00, ose të punojnë nga shtëpia;

1.4 Në oraret 11:00 — 16:00 ndalohet puna për qytetarët e prekur me sëmundje kronike, apo të punojnë nga shtëpia;

1.5 Të ndalohen punimet në sektorin e ndërtimtarisë, që janë të ekspozuara në diell gjatë orarit 11:00-16:00

1.6 Të shpërndahen informacione përmes burimeve të informimit dhe broshurave e materialeve të tjera informuese për qytetarët për mënyrat e mbrojtjes nga nxehtësia;

1.7 Të sigurohen kontrolle mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme;

1.8 Ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.

Temperatura të larta kanë mbizotëruar edhe gjatë muajit korrik.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos ekspozohen në diell.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik
-Advertisement-

Të tjera