Lajme

Bahtijari dhe Januzi deklarohen të pafajshëm ndaj akuzës së re

Autori: Gazeta inFokus 11:55 | 12 July 2024

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Gjykatësja e Procedurës Paraprake, Marjorie Masselot mbajti seancë për paraqitjen e mëtejshme në procesin gjyqësor kundër Ismet Bahtijarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës.

Gjatë paraqitjes së tyre të mëtejshme sot, Januzi dhe Bahtijari u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzën e re në aktakuzën e përbashkët.

Aktakuza kundër Januzit dhe Bahtijarit u konfirmua më 2 tetor 2023 dhe u bë publike më 6 tetor 2023. Aktakuza kundër Haxhi Shala u konfirmua më 4 dhjetor 2023 dhe u bë publike më 12 dhjetor 2023.

-Advertisement-

Më 12 janar 2024, pas kërkesës për bashkimin e këtyre dy çështjeve gjyqësore, ZPS-ja dorëzoi propozimin për aktakuzë të përbashkët, por më 8 shkurt 2024 Gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi ZPS-në ta ridorëzonte atë.

Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi versionin e ndryshuar të aktakuzës kundër Januzit dhe Bahtijarit që korrigjon mbiemrin e Bahtijarit dhe përmirëson qartësinë dhe saktësinë e çështjes. Aktakuza e përbashkët u ridorëzua nga ZPS-ja më 27 shkurt 2024 dhe u bë publike më 3 korrik 2024.

Më 17 maj 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për ndryshimin e aktakuzës dhe përfshirjen e pretendimeve të reja faktike vetëm për Januzin dhe Bahtijarin.

Më 8 korrik, Gjykatësja e Procedurës Paraprake konfirmoi ndryshimet dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzonte aktakuzën e përbashkët të ndryshuar më 10 korrik 2024.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, “Dëshmitari 1” është person që ka dhënë informacion, ose ka shumë të ngjarë ta bëjë këtë, për Task Forcën Hetimore Speciale, ZPS-në ose Trupit Gjykues të DHSK-së për krime ose vepra penale që përfshihen në juridiksionin e DHSK-së.

Në aktakuzë thuhet se, midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, Januzi dhe Bahtijari, në bashkëpunim me individë të tjerë, bashkërenduan si grup para dhe pasi Januzi dhe Bahtijari e kontaktuan Dëshmitarin 1.

Në aktakuzë më tutje thuhet se, me urdhër të Shalës, Januzi dhe Bahtijari e takuan individualisht Dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur që të tërheqë dëshminë ose të mos japë dëshmi në procedurat zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë duke përdorur kërcënime të rënda dhe premtim të përfitimeve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera