Lajme

“Do ta krijojë një mini-Jugosllavi”- ish deputeti i LDK-së i’a rikujton Abdixhikut një deklaratë kundër Edi Ramës

Autori: Gazeta inFokus 10:15 | 10 June 2024

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, ka rikthyer një deklaratë të Lumir Abdixhikut kundër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, gjatë kohës sa kryetari i LDK’së ushtronte funksionin e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

Abdixhiku e kishte quajtur “naiv” dhe thoshte se Rama donte ta krijonte një “mini-Jugosllavi” me formimin e iniciativës së “mini-Shengenit ballkanik”. Ai këtë e kishte deklaruar në ‘Facebook’, postimi i së cilit nuk ekziston më pasi që është fshirë.

“Edi Rama nuk ka jetuar në Jugosllavi; por kemi jetuar ne të gjithë. Prandaj bën mirë të rri sepse nuk kupton – nuk di. Nga naiviteti apo apetiti për protagnoziëm, pak ka rëndësi, ai vazhdon të dëmtojë subjektivitetin e Kosovës në çdo iniciativë rajonale të tij”, deklaronte atëbotë tash kryetari i LDK’së.

-Advertisement-

“Kur nënshkruanin marrëveshje për autostradën Nish-Durrës me Aleksandrin, mikun e tij, e anashkalonin të dy Kosovën në tërësi. Thuajse kjo autoudhë nuk kalonte nga ne hiç.

– Kur flitej për vendosje kufiri shqiptaro-serb dhe me këtë zhbërje të shtetësisë, ai e promovonte këtë ide si alternativë të mirë.

– Tash, sërish, të dy, ideojnë marrëveshje për krijimin e mini-Jugosllavisë; sërish, por jo për rastësi, pa hesapuar mendimin e Kosovës si shtet në këtë iniciativë.

Secili naiv pjesëmarrës në këtë rrugëtim, duhet ta kuptojnë se mospjesmarrja e Kosovës në çdo iniciativë është pikërisht çfarë Serbia pretendon tash e sa kohë: mosekzistencën tonë. Për ta s’jemi; por për Shqipërinë duhet të jemi patjetër si mendim e si vendim padallim. Relacionet e Shqipërisë me Serbinë kapërcejnë nëpër Kosovë.

Unioni Doganor Ballkanik e mini-Jugosllavia e re janë të vdekura pa lindur hiç”, thoshte Abdixhiku.

Abdixhiku, atëkohë vetëm anëtar partie, përmes këtij reagimi përvijonte qëndrimin e kryetarit të atëhershëm të LDK’së, Isa Mustafës. Mustafa e kishte quajtur “mini-Shengenin ballkanik” si “Jugosllavia e re”.

“Në shiqim të parë duken projekte atraktive, por në esencë qojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do ti përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetëror të Kosovës”, deklaronte pos tjerash Mustafa.

Deklarata e Abdixhikut është kthyer në të njëjtën ditë kur ai ka ftuar kryeministrin Rama për pjesëmarrje në konferencën ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” në Kosovë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera