Lajme

Kryeministri Kurti bën homazhe te varret e Ilir Konushevcit dhe Hazir Malajt

Autori: Gazeta inFokus 11:11 | 09 May 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me një pjesë të kabinetit të tij, kanë bërë homazhe me rastin e 26-vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit Dr.Hazir Malaj.

Nga aty, kryeministri Kurti foli për kontributin e komandantit Ilir Konushevci e Hazir Malaj. Tha se armët që i mbanin ushtarët e UÇK-së, ishin pushkët e komandant “Mërgimit”, nofkë kjo e bartur gjatë luftës.

Kurti tha se barra për Konushevcin ishte e dyfishtë, pasi ishte i ngarkuar për të sjellë armatim nga Shqipëria në Kosovë.

-Advertisement-

“Në vitet e 90-ta është dashur të bëhet shumë punë vetmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme. Ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, për organizim, për rekrutim dhe që të gjitha këto bëheshin nga disa njerëz fortë të veçantë të cilët e mundësuan luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës. Në mesin e tyre ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci ‘Mërgimi’, i cili kishte një barrë të dyfishtë: Në njërën anë ai duhej që ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili ra heroikisht në janar të vitit 1997, ndërkaq në anën tjetër duhej sa më shpesh, sa më tepër i ngarkuar të sillte armatim nga Shqipëria në Kosovë”, tha Kurti, shkruan Ekonomia Online.

“Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull”, u shpreh Kurti.

Këshilltari ushtarak i presidentes Vjosa Osmani, Gjeneral Sefer Isufi, tha se personaliteti e heroit Konushevci, bartet me krenari nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në nderim të njërit prej themeluesve të UCK, njeherit të lokomotivës së logjistikës së UÇK-së, heroit të Kombit Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij. Vlerat e ushtarakut që barte personaliteti i jashtëzakonshëm i heroit Ilir Konushevci janë vlera të cilat i bartin me krenari të gjithë ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë udhërrëfyes se si sakrifikohet dhe flijohet për çlirimin, lirinë pavarësinë dhe mirëqenien e kombit. Andaj në emër të presidentes Osmani edhe njëherë lutemi që nderimi, përkujtimi dhe krenaria për heroin Ilir Konushevci të jetojë për jetë”, u shpreh ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera