Lajme

Anëtarësimi në KiE në pikëpyetje, Kurti: S’e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, përkrahëse të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 12:45 | 08 May 2024

Fillimisht e përmendi “votimin e fuqishëm” në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në favor të Kosovës muajin e kaluar, për të treguar më pas se që procesi i anëtarësimit të vendit të finalizohet këtë muaj, i është vënë një kusht.

Kryeministri Albin Kurti tha se nuk priste që “pengesë do të bëheshin shtetet demokratike”, të cilat tha se e kanë kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në KiE me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, gjë që ai tha se nuk do ta bëjë.

“Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por asesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim, e më herët ishin krah nesh për çlirim e demokratizim”, tha Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

-Advertisement-

Ai kujtoi votimin në Asamblenë Parlamentare të KiE muajin e kaluar si “moment i festimit” dhe “moment krenarie”.

“Plotësimi i kritereve për anëtarësim në KiE që mori 82% të votave të Asamblesë Parlamentare, 25 vjet pas gjenocidit të Serbisë ndaj Kosovës dhe 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë, është moment i festimit të arritjeve dhe moment krenarie për çdo qytetar të saj dhe për të gjithë aleatët, miqtë e mbështetësit e Kosovës”, tha Kurti.

“Mungesa e përkrahjes është për keqardhje. Nuk do t’i ndihmojë normalizimit e dialogut dhe nuk i kontribuon demokracisë, paqes dhe sigurisë”, tha ai.

Më pas, iu drejtua qytetarëve për t’iu thënë se “Qeveria ka punuar pa rreshtur dhe ka bërë çdo veprim për të plotësuar standardet, kriteret, kushtet e parakushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës”.

“Ne duam anëtarësim meritor, sepse konsiderojmë që e meritojmë anëtarësimin në Këshillin e Evropës meqenëse ndajmë vlerat e përbashkëta dhe plotësojmë standardet”, tha ai. “Kjo e drejtë dhe kjo mundësi nuk bën të kufizohet dhe refuzohet duke vonuar anëtarësimin e Kosovës në këtë oprganizatë”.

“Më lejoni të përsëris se Qeveria nuk e ka pranuar draftin e propozuar nga emisari Lajçak sepse ai është refuzuar më 26 tetor 2023 e dy ditë para lësaj, unë kam dorëzuar vërejtjet e mia kapitale për atë draft-statut, pra më 24 tetor. Dhe e dyta, Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë bisedojmë në Bruksel, jo në Strasburg”, tha Kurti.

Ai tha se neni 7 i marrëveshjes bazike edhe në ndërlidhje me nenin 10 “nuk mund të nxjerret jashtë marrëveshjes, nuk mund të vendoset në qendër të saj dhe as sipër saj si një çështje urgjente”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
-Advertisement-

Të tjera