Lajme

Kurti bën homazhe në Saradran të Istogut: Gjaku i tyre nuk shlyhet kurrë

Autori: Gazeta inFokus 12:37 | 08 May 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm në 25 vjetorin e masakrës ka bërë homazhe te lapidari i fshatit Saradran të Istogut.

“Mëngjesin e sotëm, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e nisi me homazhe te lapidari i fshatit Saradran të Istogut, në 25-vjetorin e masakrës, si dhe vendosi lule të freskëta te lapidari i dëshmorëve Demush Mavraj, Ibish Mavraj dhe Bekim Mavraj.”

Ai ka thënë se dëshmitar i gjallë i kësaj masakre është Naim Elshani, i cili ka identifikuar një prej 30 ushtarëve paramilitarë, me inicialet E.B, “por do të thotë që vetëm një është në arrest prej mbi 30 sosh”.

-Advertisement-

Kurti ka shtuar se kjo do të thotë që drejtësia ka nisur por është shumë larg që ta mbyllë plagën duke i vendosur prapa grilave të gjitha ata që dhanë urdhër dhe ekzekutuan popullsinë civile të paarmatosur.

Ai gjithashtu tha se gjaku i dëshmorëve e martirëve nuk shlyhet kurrë dhe se emri i tyre nuk harrohet kurrë.

Deklarimi i plotë i Kurtit:

Me zëvendësministrin e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, Mentor Arifajn, me kolegë, me miq e dashamirë, me familjarë të dëshmorëve, martirëve, me banorë të fshatit Saradran porsa vendosëm lule të freskëta te lapidari i tre dëshmorëve Mavraj, Demushit, Ibishit dhe Bekimit, të cilët ranë në ballafaqim me forcat armike serbe para 25 vjetëve.

Paraprakisht ishim edhe tek lapidari i martirëve ku para 25 vjetëve, sërish këtu, te popullsia civile e grumbulluar edhe nga fshatrat e tjera, forcat ushtarake policore, paramilitare serbe i kishin ndarë 18 burra, 16 shqiptarë dhe dy egjiptianë dhe i kanë pushkatuar ata. Kemi dëshmitarë të gjallë. Dëshmitari i gjallë është Naim Elshani, i cili edhe e ka identifikuar njërin prej atyre, mbi 30 ushtarëve, policëve e paramilitarë, që kanë vrarë e ekzekutuar, me inicialet E.B, por do të thotë që vetëm një është në arrest prej mbi 30 sosh. Kjo do të thotë se ka nisur drejtësia, por është shumë larg që ta mbyllë plagën duke i vendosur prapa grilave të gjithë ata, të cilët dhanë urdhër dhe ekzekutuan popullsinë civile e të paarmatosur.

Ndërkaq, të gjithë atyre, të cilët ranë në rrugën e gjatë e të vështirë të Kosovës për liri, u qoftë lavdi, dëshmorë e martirë të kombit. Gjaku i tyre nuk shlyhet kurrë. Emri i tyre s’harrohet kurrë. Është pjesë e historisë moderne të Kosovës, por gjithashtu është edhe vendi prej nga ushqehet shteti që kemi e liria që e gëzojmë!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera