Lajme

Ahmeti: Ka sinjale që masat sanksionuese ndaj Kosovës mund të largohen

Autori: Gazeta inFokus 14:15 | 03 May 2024

Qeveria e Kosovës vlerëson se padrejtësisht Bashkimi Evropian po i mban masat sanksionues ndaj Kosovës, megjithëse sipas zëvendësministrit të Punëve të Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, ka sinjale që masat sanksionues ndaj Kosovës mund të largohen. Për njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, këto masa të padrejta duhet t’i largohen sa më parë Kosovës.

Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë masat sanksionuese ndaj Kosovës, edhe pse Kosova, sipas Qeverisë, i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, për Radio Kosovën ka thënë se ka sinjale që masat sanksionues ndaj Kosovës mund të largohen.

“Ne po presim, sepse të gjitha çka kanë qenë në anën dorën tonë për t’u bërë, janë bërë tashmë. Ne kemi organizuar votimin në komunat veriore në mënyrë që të thirren zgjedhjet. Kosova duhet të mos këtë masa nga Bashkimi Evropian, pasi masa të tilla ndëshkuese duhet t’i vendosen një vendi agresor siç është Serbia”, ka deklaruar Ahmeti.

-Advertisement-

Për njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare masat e vendosura nga BE-ja kanë qenë të gabuara dhe si të tilla duhet që sa më parë të largohen. Studiuesi dhe hulumtuesi, Abit Hoxha, për Radio Kosovën ka thënë se BE–ja duhet t’i largojë ato masa, megjithëse vlerëson se ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian po mungon komunikimi i mirëfilltë.

“Komunikimi me BE-në në Kosovë është përshkallëzuar për të keq. Mendoj se ka një lloj keqkuptimi edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës, pastaj edhe prej BE-së, për këtë komunikimin zyrtar që bëhet. Kosova duhet të ketë një diplomaci më të mirë, pra, duhet të jetë më diplomatike me Bashkimin Evropian”, ka theksuar Hoxha.

Analisti Shqiprim Pula, tha se vendosja e masave sanksionuese nga BE-ja për Kosovën, është cenim i shtrirjes së sovranitetit të plotë të Kosovës.

“Vazhdimësia e atyre masave ndaj Kosovës jo vetëm që janë të padrejta por është edhe cenim i pretendimit të një shtrirje të sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Prandaj, një ditë e më parë duhet të hiqen ato masa nga ana e Bashkimi Evropian”, theksoi Pula për Radio Kosovën.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar të enjten se mbajtja e votimeve në komunat në veri të Kosovës ishte një prej disa kushteve, por vendimi për heqjen e masave kërkon një konsensus të gjerë në BE.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Hej, hej, hej, erdhi Black Friday me zbritje deri në 75% në Comodita Home
-Advertisement-

Të tjera