Lajme

Kurti në Koshare: Në historinë e Europës së pas Lu*tës së Dytë Botërore, UÇK ka historinë më të jashtëzakonshme

Autori: Gazeta inFokus 16:44 | 09 April 2024

Me rastin e 25- vjetorit të Betejës së Koshares, u mbajt sot manifestimi ‘’Ditët e Shqipes’’ 2024, në Koshare të Komunës së Gjakovës, nën patronatin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me Osmanin fillimisht bënë homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”, në nderim të të rënëve për liri.

“Një kronikë e plotë kronologjike, ditë pas dite dhe ngjarje pas ngjarje, si një histori totale e Betejës së Koshares, mbase do të ishte një ndër veprat më ideale për luftën e UÇK-së”, u shpreh ai.

-Advertisement-

Para të pranishmëve në këtë manifestim, kryeministri risolli në kujtesë ngjarjet e njëpasnjëshme që nga 8 prilli e deri më 11 prill, ditë kjo ku është vrarë ish-komandanti i UÇK-së, Agim Ramadani, i njohur edhe si “Katana”, por edhe rënien e shumë dëshmorëve të tjerë, përfshirë këtu edhe vullnetarë nga Europa dhe jo vetëm, tre prej të cilëve edhe ranë dëshmorë.

Duke e shembur kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë të vendosur padrejtësisht në vitin 1913, kryeministri deklaroi se Beteja e Koshares “e theu një pengesë të madhe ndarëse mes shqiptarëve dhe hapi kanale të rëndësishme ndërveprimi mes tyre, në luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese”.

“Në historinë e Evropës të pas Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizata ushtarake çlirimtare me historinë më të jashtëzakonshme dhe më mahnitëse”, veçoi kryeministri”.

Në fund të fjalës, ai shprehu mirënjohje të për të gjithë “luftëtarët e paepur të Betejës së Koshares dhe lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë në Koshare si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Duke i ndjekur datat e kalendarit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur çdo vit tjetër gjatë këtyre 25 viteve të fundit, 9 prilli na solli këtu në Koshare të Gjakovës edhe sot. Një kronikë e plotë kronologjike, ditë pas dite dhe ngjarje pas ngjarje, si një histori totale e Betejës së Koshares, mbase do të ishte një ndër veprat më ideale për luftën e UÇK-së. Por përballë një sfide historie si kjo, që shkon e reduktohet në kohën e një fjalimi si ky, më lejoni që mes nderimesh, të shquaj këtu disa fragmente dhe episode nga Beteja e Koshares, para jush që jeni pjesëmarrës e dëshmitarë të saj dhe para brezave të ri që duhet ta njohin atë.

Urdhri për mësymjen e madhe që ishte përgatitur ditë më parë, erdhi më 8 prill 1999, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Kështu mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, ushtarët e UÇK-së i sulmuan pikat e ushtrisë serbe në kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Agim Ramadani i njohur me nofkën “Katana”, i udhëhoqi 136 ushtarët që i kishte nën komandë në një sulm në Rrasë të Koshares, duke e detyruar një njësit ushtarësh të Serbisë numerikisht dyfish më të madh, të zmbrapsej nga pozicionet. Dhe në këtë përpjekje ai nuk ishte i vetëm, por bashkë me të tjerë nga Grupi i Tretë Operativ (GO-3) i UÇK-së. Atë ditë të premte më 9 prill 1999 te Stanet e Pukajve, ranë dëshmorë Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi dhe Rifat Qelaj. Kjo ishte vetëm dita e parë e luftimeve të Betejës së Koshares e cila do të zgjaste dhe do të shtrihej deri në ditët e fundit të luftës në Kosovë, në mes të qershorit 1999.

Të nesërmen më 10 prill, ushtarët e UÇK-së arritën ta marrin postin e Koshares, ku së pari hyri njësiti special “Kobra”, që atë ditë luftoi krah Batalionit të Parë dhe ushtarëve të Policisë Ushtarake. Ditën tjetër më 11 prill, ishte planifikuar të merrej “Oplazi”, por gjatë luftimeve te Rrasa e Koshares u vra vet Kryeshefi i Shtabit, Agim Ramadani.

Përveç tij, atë ditë ranë dëshmorë edhe Arben Jusufi, Driton Veliu, Harun Beka, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala. Ditën e gjashtë të luftimeve, më 14 prill 1999, ra dëshmorë njëzet vjeçari nga Poroj i Tetovës, Mujdin Aliu, bashkë me katër gjakovarë: Kasim Uka, Bashkim Idrizi, Fisnik Salihu dhe Korab Binxhiu. Nga njëra ditë në ditën tjetër, lista e dëshmorëve të lirisë shtohej me ushtarë, ndërsa dita me numrin më të madh të dëshmorëve të UÇK-së në Betejën eKoshares, ishte 19 prilli, kur 13 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë gjatë luftimeve. Mes tyre edhe Salih Çekaj apo “Veterani”, që vërtetë ishte veteran të paktën nga viti 1991, kur Salih Çekaj koordinoi shkuarjen e dy grupeve për stërvitje ushtarake në Shqipëri, grupit të Zahir Pajazitit dhe grupit të Adem Jasharit.

Përveç dy komandantëve që ranë dëshmorë, “Katanas” dhe “Veteranit”, luftimet në Betejën e Koshares u planifikuan dhe u drejtuan edhe nga shumë shokë e bashkëluftëtarë të tjerë, komandantët dhe eprorët si Rrustem Berisha, Anton Quni, Skënder Hasanxhekaj, Fadil Hadërgjonaj, Naim Maloku, Xhafer Gashi, Nasim Haradinaj, Musa Gjakova, Feriz Terzhnjeva, Skender Rexhahmetaj, Hisen Berisha, Farush Thaçi, Musa Dragaj, Agim Haziri, Ramadan Gashi, Fadil Demiri, Sadri Lokaj, Adem Dahri, Abaz Thaçi, Esat Krasniqi, Sami Ukshini, Bashkim Kalaveshi, Naser Vllasi, Afrim Bekaj, Milazim Maraj, Gani Gjukaj dhe plot të tjerë.

Bashkë me ushtarët e Brigadave 131 dhe 134 të Grupit të Tretë Operativ të UÇK-së, në Koshare e gjejmë edhe njësitin special “Pitbull”, me ushtarë nga trevat e Llapit, sikurse edhe grupet “Apokalipsa”, apo dhe Forcat Komando “Delta”. Të plagosurve nga luftimet, u vinin në ndihmë ekipet mjekësore me Agron Jusufin – “Dokun”, si dhe Edmond Shabi, Time Kadrijaj, Ilirjana Hakaj, Afrim Sylejmani, Fazli Shala, Miftar Zeneli, Bajram Zeqiri, Ryve Loshaj, Mustafë Loxha, Sylë Bruqi, Armend Agolli, Zekë Zeka dhe Rrahman Shala. E këta janë vetëm disa mes shumë pjesëmarrësish të tjerë dhe mes mijëra historish të Betejës së Koshares, që vetëm historianët do të mund t’i përmbledhin në të ardhmen dhe t’i sintetizojnë në një rrëfim të madh dhe domosdoshëm për kombin tonë.

Gjatë luftimeve të Betejës së Koshares, përveç dëmeve të shumta në pajisje dhe logjistikë, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shkaktuan shumë humbje në personel njësiteve ushtarake të Serbisë, duke i vrarë të paktën 108 prej tyre.

Kurse mes njësiteve paraushtarake që luftonin krah forcave serbe, u identifikuan edhe mercenarë nga Rusia.

Në anën tjetër, mes ushtarëve çlirimtarë të Kosovës, ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, kurse u plagosën mbi 380 të tjerë. Rrasa e Koshares, Shkoza, Stanet e Pukajve, Gusha e Botushës, Maja e Gllavës, Vrojtoret dhe Oplazi u kthyen në vende flijimi ku ushtarët e UÇK-së u përjetësuan si dëshmorë.

Gjeografia e vendeve të origjinës së ushtarëve të UÇK-së që luftuan në Betejën e Koshares, shtrihet në pothuajse tërë Kosovën dhe tej saj në vise të banuara me shqiptarë në Ballkan. Dhe duke qenë se Beteja e Koshares bëhej në kuadër të një lufte për çlirimtare, për vlera universale, lirinë e popullit, si luftëtarë lirie asaj iu bashkuan edhe vullnetarë nga Evropa dhe jo vetëm, tre prej të cilëve edhe ranë dëshmorë: Murad Muhamed Ali nga Algjeria, Pallard Arnaud Piere nga Franca dhe Francesko Giuseppe Bider një italian hebre nga Italia, vëllain e të cilit sot e kemi këtu mes nesh. Apo sikur se edhe luftëtari nga Londra, që po ashtu është sot këtu John Harrison, si dhe dy luftëtarët suedezë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pelle Christrop nga Malmo dhe Cim Sundin nga Stokholmi, që e kishin lënë vendin e tyre Suedinë për t’iu bashkuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke e shembur kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë të vendosur padrejtësisht në vitin 1913, Beteja e Koshares e theu një pengesë të madhe ndarëse mes shqiptarëve dhe hapi kanale të rëndësishme ndërveprimi mes tyre, në luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese. Në historinë e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizata ushtarake çlirimtare me historinë më të jashtëzakonshme dhe më mahnitëse. Historia e UÇK-së, është një koleksion i madh ngjarjesh dhe rrëfimesh për një ushtri vendase dhe kryengritëse që u ngjiz mbi disa grupe të armatosura dhe patriotike të cilat kryenin aksione guerile dhe që luftonin për ta ndalur gjenocidin e Serbisë, e për ta çliruar atdheun e tyre, Kosovën. Megjithëse një forcë ushtarake guerile me karakter çlirimtar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e përmbylli luftën e saj çlirimtare si një ushtri me mijëra luftëtarë vullnetarë dhe si një aleate e aleancës së madhe të NATO-s, në luftën e përbashkët për çlirimin e Kosovës, për humanitetin në botë, për shpëtimin e popullit, për lirinë e vendit.

Mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të paepur të Betejës së Koshares dhe lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë në Koshare si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera