Lajme

INDEP shënon ditën e konsumatorëve: Ata po përballen me sfida nga aplikimi i padrejtë i Inteligjencës Artificiale nga kompanitë duke ndikuar në privatësinë

Autori: Samire Jaha 12:55 | 15 March 2024

Instituti për Politika Zhvillimore në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Konsumatorit ka ngritur shqetësime se konsumatorët në Kosovë po përballen me sfida të ndryshme që rrjedhin nga aplikimi i papritur dhe i padrejtë i teknologjive të Inteligjencës Artificiale nga kompanitë, duke ndikuar në privatësinë, të drejtat e tyre dhe mungesën e transparencës.

Për këtë është mbajtur edhe një tryezë diskutimi me temën “Inteligjenca Artificiale e Drejtë dhe e Përgjithshme për Konsumatorët”, shkruan Gazeta Infokus.

Ky diskutim u bë në bashkëpunim me anëtarët e Këshillit të Mbrojtjes së konsumatorit me mbështetje nga Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

-Advertisement-

Kjo ngjarje zakonisht trajton çdo vit temat aktuale të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e konsumatorit dhe kanë ndikim direkt në nivelin e mbrojtjes institucionale që ofrohet.

Sipas INDEP, konsumatorët janë të detyruar të pranojnë politikat dhe kushtet e vendosura nga kompanitë, ndërsa nga ana tjetër përdorimi i Inteligjencës Artificiale pa kritere të qarta dhe pa marrë parasysh etikën dhe zbatimin e ligjit, përbën një shkelje të të drejtave të konsumatorëve dhe cënon besimin në teknologji.

Gjithashtu në këtë tryezë u tha se konsumatorët në Kosovë, po përballen me sfida të ndryshme që rrjedhin nga aplikimi i papritur dhe i padrejtë i teknologjive të Inteligjencës Artificiale nga kompanitë, duke ndikuar në privatësinë, të drejtat e tyre dhe mungesën e transparencës.

Drejtori i Programit të INDEP, Dardan Abazi, bëri të ditur se që pesë vite INDEP shënon Ditën e Konsumatorit, teksa tha se në panel diskutimi do të jetë tema për Inteligjencën Artificiale, hovi i zhvillimit të saj dhe roli në të drejtat e konsumatorit.

“Inteligjenca artificiale është një mjet që dikush mund ta përdor për keq dhe në fund konsumatori është ai që dëmtohet”, tha Abazi.

Ndërkaq në këtë tryezë diskutimi ka qenë edhe Zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, tha se mbrojtja e konsumatorit ka të bëjë me krijimin e një ambienti të sigurt për nevojat ekskluzive cilësore për ta.

“Sot shënojmë ditën ndërkombëtarë të konsumatorit për të garantuar të drejtat e konsumatorit në botë, është detyrë e jona që ata të trajtohen drejt dhe me integritet. Duhet të punojmë për të luftuar mashtrimet potenciale si dhe për t’i mbrojtur nga abuzimet dhe mashtrimet”, u shpreh zëvendësministri Arifaj.

Ndërkaq shtoi se si ministri e kanë dërguar në Kuvendin e Kosovës, projektligjin për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit por se ende nuk është votuar.

“Ky Projektligj synon praktikat tregtare, kushtet e padrejta, blerjet e ndryshme digjitale, masat mbrojtëse, ka për interes të mbrojë interesat e konsumatorit si dhe ka të bëjë me qarkullimin e lirë të mallrave në treg. Shkalla e zhvillimit të drejtave të konsumatorit është rrjedhojë e caktuar e zhvillimit të gjithmbarshëm është karakteristikë për të gjitha vendet. Ne si ministri kemi parë të arsyeshëm hartimin e ligjit për inspektim, monetar dhe udhëzime administrative për të rregulluar çmimet e naftës. Është hartuar edhe projektligji për mbrojtjen e konsumatorit, shpresojmë se projektligji të miratohet në Kuvend. Ky Projektligj synon se praktikat tregtare, kushtet e padrejta blerjet e ndryshme digjitale, masat mbrojtëse, ka për interes të mbrojë interesat e konsumatorit si dhe ka të bëjë me qarkullimin e lirë të mallrave në treg”, tha tutje Arifaj.

E Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi, në këtë tryezë u shpreh se duhet ti kushtohet më shumë vëmendje mbrojtjes së konsumatorit në blerjet online.

Më tej shtoi se duhet të rritet departamenti i punëtorëve që merren me ankesat e konsumatorëve.

“Sa po e mbrojmë online produktin, ne iu kemi kërkuar qytetarëve që të shikojnë në ARBK para se të porosisin diçka të shohin se a ekziston një biznes. Çdo verë ballafaqohemi me bileta aeroplani ku 200, 500 pasagjerë mbesin në aeroport, politika duhet me iu përshtat dinamikave, mundësia për mashtrim është shumë e madhe, nuk ka ndonjë fushatë vetëdijesuese të formës digjitale për me i informu qytetarët”, tha ai.

Ndërsa Elvin Mala, Udhëheqës i Divizionit të Mbikëqyrjes se Sistemeve të Informacioneve nga Banka Qendrore e Kosovës, tha se ende nuk kanë filluar të punojnë në këtë drejtim.

“Në disa pika jemi, por ende jo të lidhur me zbatimin dhe implementimin e Inteligjencës Artificiale”.

Lule Ahmedi, anëtare e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në këtë tryezë shtoi se kanë zhvilluar një mini-pilot që kërkesat e konsumatorit të shpërndahen përmes Inteligjencës Artificiale, por që ende nuk ka diçka konkrete.

“Ne sektorin e telekomit nuk ka shumë përdorim apo arritje praktike në aplikimin e inteligjencës artificiale, mirëpo mundësitë janë ka diskutime për shpërndarje optimale në breza, ne kemi zhvilluar një min- pilot qe kërkesat e konsumatorit i shpërndan përmes IA (Inteligjencës Artificiale). Meqë BE-ja, ka miratuar kodin për treg digjital edhe rregullatorët janë në mesin e mundshëm”, tha Ahmedi.

E kryesuesja e Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Safete Rexhepi, tha se ky këshill mban takime të rregullta ku prezantohen ankesat e konsumatorit vazhdimisht.

“Ky këshill ka mbajt takime të rregullta, ku janë prezantuar ankesat e konsumatorit. Deri më tani nuk kemi pas ndonjë ankesë, ne si Këshill jemi të hapur për të shqyrtuar ankesat për të krijuar një ambient më të sigurt, për ato që na takojnë si këshill”, deklaroi ajo.

E drejtori i departamentit për mbrojtjen e konsumatorëve në kuadër të  ministrisë së Tregtisë, Nijazi Shala tha se në  të  ardhmen duhet të  shikohen dy probleme për të  i zgjidhur.

“Kjo pjesa nuk është që nuk është  e rregulluara hiq. Dmth tek praktikat e padrejta tregtare preket tash ne kontekstin digjital është pak më  problem se janë  dy direktive që  duhet me u targetu në  të  ardhmen dmth është  për shërbimet digjitale dhe për përbërjen digjitale, edhe kjo e targeton kë të  pjesë se praktikat e padrejta tregtare nuk e mbulon komplet”, tha Shala.

Ndërkaq kujtojmë që 15 marsi njihet si Dita Ndërkombëtare e Konsumatorit që ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.

Kjo mbrojtje ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së konsumatorëve, si dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive e tregtarëve.

Ndërkaq më 15 mars 1962, presidenti i SHBA-së John F. Kennedy miratoi “Ligjin për të drejtat e konsumatorëve”./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera