Lajme

NATO po zhvillon stërvitjen më të madhe që nga Lu*ta e Ftohtë

Autori: Gazeta inFokus 19:37 | 09 March 2024

Suedia u bë zyrtarisht anëtari i 32-të i aleancës së NATO-s të enjten, pasi kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe ministri i Jashtëm Tobias Billstrom udhëtuan në Uashington për të finalizuar marrëveshjen.

Pranimi i Suedisë në Aleancë përkon me stërvitjet e nisura në Poloni dhe disa vende të tjera, stërvitja më e madhe e NATO-s që nga Lufta e Ftohtë, e njohur ndryshe si “Steadfast Defender 2024” (“Mbrojtësi i Vendosur 2024”).

“Kapacitetet e Forcave të Armatosura të Suedisë janë shumë të mira. Ata kanë qenë partnerë të Shteteve të Bashkuara dhe të Alenacës për vite me radhë edhe uke mos qenë anëtarë të NATO-s. Po ashtu industria e tyre e mbrojtjes do të forcojë edhe më tej Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”, thotë kundëradmirali amerikan, Douglas Perry.

-Advertisement-

Me Suedinë anëtare, NATO-ja arrin prani të konsiderueshme në Detin Baltik, një rrugë kryesore e Rusisë për tregtinë e naftës dhe baza e një prej flotave të saj.

Në veri të Polonisë, pranë kufirit me rajonin rus të Kaliningradit, trupa nga vende të ndryshme po manovrojnë përgjatë lumit Vistula dhe po kryejnë detyrat që iu janë caktuar.

Këto stërvitje ushtarake synojnë të testojnë aftësinë e vendeve të ndryshme të NATO-s për të bashkëpunuar në kushte reale në fushën e betejës.

Pas agresionit në Ukrainë, NATO-ja e ka identifikuar Rusinë si kërcënimin të drejtpërdrejtë për sigurinë në Evropë. Gjenerali gjerman, Gunnar Brügner thotë se mesazhi i stërvitjeve është i qartë: NATO-ja është e gatshme të mbrojë çdo anëtar të aleancës.

“NATO përgatitet për dy kërcënime: Kërcënimi i parë është Rusia dhe kërcënimet terroriste. Ajo që po shihni këtu është qartësisht (stërvitje) për t’iu kundërvënë një kërcënimi të mundshëm rus. Ne e marrim atë shumë seriozisht. Më duhet të theksoj se ne jemi një organizatë mbrojtëse. Ne po përgatitemi për mbrojtjen e Aleancës”, thotë Gjenerali gjerman, raporton Zëri i Amerikës.

NATO-ja thotë se stërvitja ushtarake përfshin operacione tokësore, ajrore, detare dhe kibernetike për të rritur bashkëpunimin civilo-ushtarak.

“Ne sapo mbaruam ushtrimin ‘Dragon’, është një nga 14 ushtrimet që zhvillohen në këtë stërvitje. Në thelb është një trajnim i çdo aftësie që kemi dhe janë shumë vende që vijnë e punojnë së bashku”, thotë Nënkoloneli amerikan John Ross.

Përgatitjet për stërvitjen më të madhe të NATO-s që nga Lufta e Ftohtë filluan tre vjet më parë, si përgjigje ndaj sjelljes agresive të Rusisë në rajon.

“Sjellja e Rusisë gjatë disa viteve të fundit me agresionin ndaj Ukrainës paraqet një sfidë të jashtëzakonshme për sigurinë e aleatëve evropianë. Pra, ne duhet të tregojmë me besueshmëri dhe gatishmëri çdo ditë, se jemi gati të mbrojmë tokën tonë. Dhe kështu, kjo është ajo që ne bëjmë çdo ditë: duke punuar në det të hapur, në Arktik dhe në Atlantik, për të treguar gatishmërinë tonë dhe për të penguar të gjithë kundërshtarët e mundshëm”, thotë kundëradmirali amerikan, Douglas Perry.

Stërvitja “Mbrojtësi i Vendosur 2024” filloi në muajin janar dhe do të vazhdojë në vende të ndryshme në të gjithë Evropën dhe Atlantikun e Veriut deri në maj. Suedia, e cila fillimisht iu bashkua stërvitjes si palë e ftuar, tani do ta përfundojë atë si një anëtare e NATO-s.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Viva Fresh Store triumfon në çmimet Best Buy Award 2024/2025 në Kosovë!
-Advertisement-

Të tjera